Është vënë në pranga në Sarandë 35-vjeçari me inicialet E.A, pasi ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, e vënë për veprën penale “Dhuna në familje”.
Njoftimi i Policisë: Sarandë/Ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, por gjatë kontrolleve nga Policia, nuk u gjet në banesën e tij, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrollit të ushtruar sipas procedurës standarde të punës, në banesën e një shtetasi të cilit Gjykata e Sarandës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”, kanë konstatuar se ky shtetas kishte dalë jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar shtetasin:
E.A., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.