Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka financuar rindërtimin e të vetmes shkollë shqip në Rozhaj, në zonën e Sanxhakut, që përfshin Serbinë dhe Malin e Zi.
Ka qenë vetë Abazoviç, që ka publikuar pamjet në rrjetet e tij sociale, ku ndan edhe disa detaje të projektit.
“Së bashku me Ministrin e Arsimit #MiomirVojinoviq po hapim një shkollë të rikonstruktuar në Rozhajë, IP ShF Dacaj. Kemi të bëjmë me shkollën e vetme në Rozhajë që mban mësim në gjuhën shqipe. Punimet kapin vlerën e rreth 250,000 eurove, kurse në shkollë vijojnë mësimet 23 nxënës”, shkruan kryeministri në detyrë i Malit të Zi.
Kjo shkollë ka 75 vite ekzistencë, dhe 55 që kur mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Por, nuk janë të pakta kërcënimet që shkojnë në adresën e këtij institucioni. Po ashtu, në vitin 2020 kjo shkollë u kaplua nga flakët, duke shkaktuar probleme në infrastrukturë, që pengoi për disa kohë vijimin e mësimit në atë objekt.
Në këtë zonë flitej shqip deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Presioni sllav i ka asimiluar, por ka shume individë që gjithmonë e më shumë po rikthehen tek identiteti i vjetër shqiptar, dhe në këtë këndvështrim sigurisht shkolla luan një rol kyç. Në këtë qytet ka qenë në vizitë private dhe ish-presidenti Ilir Meta. Si shenjë e këtij rikthimi, Partia e Abazoviç ka shumëfishuar votat në këtë zonë të lavdishme në historinë tonë kombetare.