Ditën e sotme është parashikaur të mbahet seanca plenare, teksa 23 deputetë të opozitës janë përjashtuar për 10 ditë për shkak të tensioneve që krijuan në seancën e fundit.

Por para nisjes së seancës, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar siç thuhet në njoftim “në grup në seancë”.

“Nesër (sot) e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, – shkruhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve të që mbështesin liderin demokrat Sali Berisha.

Opozitarët e përjashtuar do të mbërrijnë në Kuvend për t’u bërë pjesë e seancës, pasi argumentojnë se afati 10 ditor i përjashtimit ka përfunduar më datë 29 tetor. Por duket se ndryshe mendon mazhoranca socialiste, e cila i referohet Rregullores së Kuvendit, nenit 121/1 dhe konkretisht fjalisë së dytë të pikës 3 ku thuhet se: “Kur dita e fundit e një afati bie e shtunë, e diel ose një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen pas saj”. Në këto kushte të leximit krejtësisht të kundërt të Rregullores së Kuvendit, duken të pashmangshme tensionet sot në Kuvend.

Rikujtojmë se bllokimi i seancës erdhi pas nisjes së aksionit të ri të opozitës kundër bllokimit nga ana e mazhorancës në pushtet të komisioneve hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Kjo është mbledhja e parë e parlamentit që zhvillohet pasi SPAK-u publikoi akuzat ndaj liderit të opozitës Sali Berisha për kompleksin “Partizani”