Anëtarë të ekuipazhit të një anije peshkimi në pronësi të kompanisë “Rozafa” të biznesmenit Gjergj Luca, janë arrestuar pasi akuzohen për vjedhjen e një veliere të sekuestruar nga policia në Sarandë.

Në pranga janë vënë A.N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit “Rozafa-14” si dhe katër shtetas egjiptianë, anëtarë të ekuipazhit si punëtorë peshkimi: A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç.

Të arrestuarit, sipas policisë së Sarandës, e tërhoqën me peshkarexhë velierën nën sekuestro që prej qershorit, nga moli ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.

Sekuestrimi

Mjeti lundrues veliere, rreth 15 metra e gjatë me mbishkrimim “Bavaria 50”, u gjet i braktisur më 10 qershor në ujërat neutralë, rreth 51 milje larg ishullit italian të Siçilisë.

Veliera pa persona në bord është konstatuar nga anija e peshkimit “Rozafa”, ekuipazhi i së cilës ishte duke peshkuar në atë hapësirë detare.

Asokohe u raportua se në velierë u gjetën bidona uji dhe ambalazhe të ndryshme ç’ka ngiti dyshime se mjeti lundrues mund të jetë përdorur për trafikimin e klandestinëve nga vendet e treta, ndërsa u ngrit hipoteza se mund të ishte braktisur për shkak të ndonjë defekti të mundshëm.

Kapiteni i anijes së peshkimit “Rozafa” njoftoi autoritetet detare italiane, të cilët pasi kryen kontrollin fizik në velierë, nuk konstatuan sende të kundraligjshme. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit, velieren ia dhanë kapitenit të anijes “Rozafa”. Mëngjesin e 14 qershorit, mjeti lundrues mbërriti në portin e Limionit në Sarandë, i sekuestruar nga Policia kufitare, që nisi hetimet për të zbardhur misterin rreth velierës.

Veliera e sekuestruar nga policia

Vjedhja e velierës

Mjeti ka qëndruar i ankoruar në port (ende nën masën e sekuestros) deri këtë të mërkurë, kur është tërhequr nga ekuipazhi i anijes së Gjergj Lucës – biznesmen me lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama dhe i denoncuar nga opozita për përfshirje në ngjarje të ndryshme kriminale.

Burime zyrtare nga blutë e Sarandës njoftuan se nisën një hetim nën drejtimin e prokurorisë pas marrjes së njoftimit se veliera ishte marrë nga porti i Limionit duke u tërhequr nga një anije peshkimi.

Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë, të Delta Force dhe të Guardia di Finanza-s, shtuan të njëjtat burime, u bë i mundur gjetja dhe bllokimi i velierës.

Veliera e zhvendosur nga moli nga anija e kompanisë "Rozafa"
Veliera e zhvendosur nga moli nga anija e kompanisë “Rozafa”

Mjeti u konstatua nga autoritetet teksa po tërhiqej nga një anije peshkimi në bordin e së cilës ndodhej ekuipazhi i anijes “Rozafa” i përbërë nga 5 persona, të cilët u arrestuan.

“Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur mjetin lundrues tip veliere të sekuestruar nga Policia, që ndodhej i bllokuar në portin e Limionit, me pretendimin se kjo veliere ishte pronë e tyre”, njoftoi policia. Veprim që me shumë gjasë e kanë kryer me urdhër të shefit, Gjergj Luca.

Gjithashtu, Agjencia rajonale e Mbikëqyrjes Policore nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A.M. – me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë – pasi akuzohet se nuk ka marrë masa për ruajtjen e velierës së sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues pas lënies së shërbimit.

Web