DRSHTRR Elbasanit sqaron se punonjësja e tyre e akuzuar për mashtrim me automjetet e marra me qira nuk është arrestuar, por është dorëzuar vetë në polici.

Aty sqarohet se sapo ka mësuar nga portalet online për lajmin e së dielës, është kthyer menjëherë nga udhëtimi familjar dhe ka shkuar vetë në Komisariatin e Elbasanit ku ende pret me avokaten që t’i komunikohet çështja.

Po ashtu, theksohet se personi tjetër i dyshuar, punonjësi me iniciale R. L., rezulton se ka vepruar privatisht, pa asnjë akses në shërbimin e ndërrimit të pronësisë së mjeteve, sepse nuk punon në atë sektor.

“Në pamundësi të njohjes me aktet, për shkak të fundjavës e festave, sqarojmë se lajmi i sotëm se “kapet” punonjësja e rajonales Elbasan, me iniciale I. B., në kërkim, nuk është i vërtetë. Personi sapo ka mësuar nga portalet online për lajmin e së dielës, është kthyer menjëherë nga udhëtimi familjar dhe ka shkuar vetë në Komisariatin e Elbasanit ku ende pret me avokaten që t’i komunikohet çështja. Në padije për detaje të tjera, mund të sqarojmë se nga ana e drejtorisë rajonale Elbasan dhe çdo strukture tonën, jemi të hapur për çdo informacion e bashkëpunim me organet hetimore, me të dhënat e sistemeve dhe pamjet filmike. Për momentin mund të deklarojmë se personi tjetër i dyshuar, punonjësi me iniciale R. L., rezulton se ka vepruar privatisht, pa asnjë akses në shërbimin e ndërrimit të pronësisë së mjeteve, sepse nuk punon në atë sektor, pra jo në kushtet e abuzimit me detyrën!

Ky person ka qenë me leje dhe në cilësinë e personit privat është paraqitur për marrje shërbimi. Dy nga rastet e aluduara lidhen me praktika të noterizuara, pra jashtë shërbimit tonë, ndërsa rasti i tretë lidhet me dyshim për përgjegjësi penale të shitësit pa autorizim korrekt. Për të treja rastet e dyshuara, sa i takon zinxhirit të shërbimit, RBS, procedurës së rajonales Elbasan, rezulton se nuk ka asnjë cenim të integritetit të sistemit operativ! Çdo veprim është i gjurmueshëm, çdo rekord regjistrohet në databazë, çdo dokument apo vetëdeklarim i pasaktë përbën përgjegjësi vetjake! Rastet e dyshuara, deri tani, nuk përfshijnë falsifikim apo tjetërsim brenda entit. Në pritje të konkluzioneve, i kërkojmë medias/portaleve që të mos nxitojnë në kushtet kur nuk ka një informacion të plotë mbi provat. Inkurajojmë të tëra shërbimet e treta që ndërveprojnë, si rasti i noterëve, të investojnë në sisteme digjitale për të eliminuar raste falsifikimesh dhe për të garantuar protokoll e informatizim verifikimi në kohë reale.”