Vllaznia është rikthyer e frikshme, pasi ia doli të marrë një tjetër fitore, këtë herë me rezultatin 2-1 me përmbysje ndaj Skënderbeut dhe u ngjit përkohësisht në krye të renditjes me 53 pikë, në pritje të përballjes së Teutës me Tiranën.
Sfida nisi vrullshëm për shkodranët dhe në minutën e 11’ ishte Ardit Hoxhaj që doli bukur në krah e krosoi në zonë, por Demir Imeri gjuajti mbi kuadrat, ndonëse shumë pranë portës së korçarëve.
Kapiteni Gurishta ishte mjaft i frymëzuar në këtë takim dhe në minutën e 22-të bëri gjithçka mirë nga krahu, hyri në zonë dhe shërbeu për Ardit Hoxhajn, por gjuajtja e vlonjatit u ndal nga Sadriu e nuk përfundoi në rrjetë.
Vetëm dy minuta më vonë janë Da Silva dhe Demir Imeri që dhurojnë spektakël me disa kombinime mjaft të bukura, ndërsa më pas fantazisti brazilian tenton me goditje nga distanca, por topi përfundon jashtë.
Takimi u zhbllokua në minutën e 25-të dhe ishin miqtë që në kaluan të parët në avantazh. Mevlan Adili gabon në tentativën për të dribluar Elvi Berishën, me këtë të fundit që rrëmbeu topin dhe i vetëm me Zogovic, e dërgoi në rrjetë. Ka festë në kampin korçar dhe protesta nga Adili, që pretendoi për një prekje me dorë të Berishës.
Vllaznia provon të reagojë menjëherë dhe kapiteni Gurishta ia del të fitojë një goditje nga këndi, ndërsa pas krosimit në zonë, Dajan Shehi kërcen mbi të gjithë dhe dërgon topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.
Në minutën e 33-të është Ardit Krymi që depërton bukur në zonë dhe kthen një krosim, por si Dilaver, ashtu edhe Ardit Hoxhaj gabojnë në goditjet me kokë dhe e dërgojnë topin mbi traversë.
Shkodranët provuan të gjejnë golin e avantazhit deri në fund të pjesës së parë, por pavarësisht daljeve të bukura, mungoi pasimi i fundit, duke bërë që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtin entuziazëm për vendasit, që gjetën avantazhin në minutën e 52-të. Da Silva ekzekuton një goditje dënimi të fituar po vetë dhe topi shkon në zonë, aty ku Haris Dilaver devijon saktë me një zgjatje të këmbës dhe mposht për herë të dytë Dajsinanin.
Skënderbeu provon të reagojë, por nuk ka forcën e duhur për të kërcënuar portën e Zogovic, ndërsa shkodranët zbresin rrezikshëm me Da Silvën në minutën e 69’, por gjuajtja e brazilianit zotërohet në dy kohë nga portieri i korçarëve.
Rasti më i mirë i miqve u regjistrua në minutën e 86’, kur Zguro krosoi nga këndi dhe Vitia gjuajti bukur me kokë, por po kaq mirë reagoi edhe portieri Zogovic, që u zgjat dhe grushtoi topin, duke mos e lejuar të shkojë në rrjetë.
Deri në fund shkodranët ia dolën të mbajnë larg rrezikun dhe të ruajnë avantazhin, që u jep një 3-pikësh me mjaft vlera dhe i rikthen sërish në krye të renditjes me 53 pikë, një më tepër se Teuta që do të zbresë në fushë në orën 16:00.
Ngec sërish Laçi, që nuk shkoi përtej një barazimi pa gola në Kamëz ndaj Kastriotit dhe tani ka komplikuar garën për titullin kampion. Kurbinasit bënë gjithçka për t’u larguar me tre pikë nga kjo transfertë, por nuk ia dolën dhe mbetën në kuotën e 49 pikëve, tashmë 4 më pak se Vllaznia që kryeson përkohësisht.
Kyrian Nwabueze ishte i rikthyeri i madh për kurbinasit, megjithatë edhe këtë herë sulmuesi ngatërroi sport dhe nuk u bë protagonist me gola, por me sjellje josportive, pasi u ndëshkua me karton të kuq për një goditje ndaj kundërshtarit në minutën e 82-të të ndeshjes.
Vlen të theksohet se kurbinasit bënë një 90-minutësh mjaft të mirë dhe krijuan disa mundësi shënimi, por hasën në një Hidi mjaft në formë, që u dha një pikë mjaft të vlefshme krutanëve në luftën për mbijetesë.
Bylis vuan jo pak përballë Apolonisë, por ia del të marrë 3 pikë të arta falë një goli të Anthony Beji në minutat shtesë të ndeshjes. Mallakastriotët u shfaqën më kërkues, por të paqartë në manovrën e tyre, kjo edhe për shkak të një ndeshjeje të kujdesshme të fierakëve, që janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.
Renato Spahiu la vendasit me një lojtar më pak përreth 15 minuta në fund, megjithatë mallakastriotët ia dolën të marrin fitoren që i ngjit në kuotën e 29 pikëve, dy më pak se Kastrioti dhe 6 më shumë se Skënderbeu./SuperSport/