Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 4 vjet e 6 muaj burg për Mimoza Margjekën, gjyqtaren e Apelit Korçë, për akuzën e “korrupsionit”.

Më 15 dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata dha këtë masë dënimi, i cili pezullohej dhe konvertohej në 3 vjet Shërbim Prove si edhe iu mohua e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Për bashkëshortin e saj, Arben Carën, i përfshirë në këtë skemë, gjykata dha 4 vite burg, ndërsa avokati Skënder Demiri u la në 3 vjet shërbim prove. Gjithashtu, për të pandehurin Klaudio Zhilla, GJKKO dha një dënim me 3 vjet burg, si dhe për Nejton Balin 2 vjet e 4 muaj Shërbim Prove.

Njoftimi: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 12.12.2023, shalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 35 akti, datë 26.04.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit M.M., A.C., K.Zh., N.B., S.D., kundër vendimit nr. 69, datë 15.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319 – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 2 (dy) muaj burgim.
  2. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin N.B. në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vite dhe 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e tij.
  3. Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj të pandehurit N.B. me vendimin nr. 63 dt. 18.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehurit D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319 – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
  5. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin S.D. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e tij.
  6. Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj të pandehurit S.D. me vendimin nr. 92 dt. 05.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Zh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319 – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
  8. Vuajtja e dënimit për të pandehurin K.Zh. do të fillojë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
  9. Deklarimin fajtor të të pandehurit C., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.
  10. Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.C. do të fillojë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
  11. Deklarimin fajtore të të pandehurës M., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 4 (katër) vite dhe 6 muaj burgim.
  12. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurën M.M. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj.
  13. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurën M.M. për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
  14. Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj të pandehurës M.M. me vendimin nr. 92 dt. 05.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”.

 Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit 69, datë 15.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.