Në Itali janë mbyllur hetimet për tre grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogës, kryesisht në Milano dhe qytetet e tjera përreth saj, në Italinë e Veriut.
Në bazë të hetimeve të nisura që nga viti 2017 deri në 2020 policia mblodhi informacionet se kishte të bënte me tre organizata të strukturuara kriminale, të përbërë nga italianë, shqiptarë dhe marokenë. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria tha se janë 121 persona, pjesë e këtij grupi që akuzohen për trafikun e lëndëve narkotike.
Këto grupe zotëronin tregun e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht zonat më qendrore dhe sheshet. Po sipas hetimeve anëtarët e këtyre grupeve kishin arritur të zotëronin zonat më kyçe nëpër qytete përmes kërcënimeve të rivalëve të tyre. Ata po ashtu shkonin deri tek përdorimi i armëve.
Prokuroria arriti të zbulonte se ishin pikërisht këto tre grupe përgjegjëse për 28,5 kg heroinë, kokainë dhe hashash të sekuestruara nga policia si dhe për 7 kg përzierës, 2 pistoleta dhe rreth 196 mijë euro të gjetura gjatë aksioneve policore.
Në flagrancë janë arrestuar 33 shpërndarës të grupit si dhe është zbuluar një apartament që përdorej për ruajtjen e sasive të drogës. Ky apartament, tha prokuroria ishte baza logjistike e njërit prej grupeve.
Top Channel