Këtë të premte, oficerë të policisë kanë shkuar në banesën e ish kryeministrit Sali Berisha.

Policia do të verifikojë zbatimin e masës së sigurisë nga ana e Berishës.

Gjykata e posaçme ashpërsoi masën ndaj ish-kryeministrit duke pranuar kërkesën e SPAK që po e heton atë për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në lidhje me aferën për privatizimit e ish-kompleksit Partizani

Sipas vendimit të gjyqtares Irena Gjoka, ish-kryeministri Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa ku do të jetë me mbikëqyrje periodike policore dhe nuk duhet të kontaktojë me persona të tjerë përveç anëtarëve të familjes që gjenden në të njëjtën banesë me të.

“Pas vendimit që mori edhe GJKKO, duket se oficerët e policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tiranës, si dhe Erion Ismalili, drejtori i Krimit Ekonomik, kanë ardhur pak minuta më parë për të verifkuar zbatimin e kësaj mase. Sipas vendimit nga GJKKO, mbikëqyrja policore nuk do të jetë 24 orë në banesën e ish kryeministrit, por periodikisht. Do të jenë edhe kontrolle të tjera të vazhdueshme. Në ditë të caktuara, do të ketë kontrolle periodike, kështu do të veprohet edhe në ditët në vijim. Pas verifikimeve brenda banesës, për të parë nëse Berisha është në banesë, oficerët do të raportojnë te dy prokurorët. Berisha ka dalë në dritaren e banesës së tij duke komunikuar me megafon, duke thyer edhe masën e sigurisë. Ish kryeminsitri Sali Berisha nuk duhet të komunikojë dhe të ketë kontakt me asnjë person përveç bashkëjetueseve. Atij i është ndaluar çdo lloj komunikimi përveç bashkëjetuesve”, raportoi gazetari Leka./abcnews.al

.