Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, theksoi se nxitja e punësimit është një faktor dhe prioritet i këtij viti për rritjen ekonomike.

“Është e rëndësishme të mbajmë parasysh kontekstin jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe rajonal dhe evropian. Ka qenë një moment me politika monetare shtrënguese, të cilat ndikojnë edhe në rritjen ekonmike, një moment me shtrëngim të ofertës, diskutohet që në disa tre mujorë, edhe BE të ketë qenë në recesion që domethënë se rritja ekonomike që kemi në afro 4 përqind, e projektuar edhe në afatmesëm, është një rritje e kënaqshme. Shumë mirë që disa sektorë, si turizmi, që e kanë shtyrë këtë rritje. Po ashtu është pozitive dhe e mirë për ekonominë që vlerësohet se këta sektorë do të jenë të qëndrueshëm. Turizmi do jetë me rritje. Diversifikimi është i rëndësishëm por ekonomia jonë është pjesë e dinamikave jo vetëm të brendshme, të kërkesës së jashtme, të zhvillimit në rajon dhe BE. Patjetër që nxitja e punësimit, kapitali njerëzor është një element kyç për një rritje të qëndrueshme që kërkon vëmendje të posaçme. Kemi nisur funvitin e kaluar një program me BE ku në një hark kohor në 3-4 vite ka një fond mbi 60 milionë euro për të nxitur punësimin e të rinjve në 15 deri në 29 vjeç, duke subvensionuar programet aktuale të nxitjes së punësimit dhe punëdhënësit për pagën e të rinjve. Kemi nisur një proces të ndërkombëtarizimit të arsimit profesional. Shkollat me kërkesë të lartë profesionale, si të turizmit, do të futen në shkolla të njohura ndërkombëtare që të ofrojnë diploma të dyfishta. Siç janë edhe programet e tjera të nxitjes që synojnë integrimin në tregun e punës të grupeve vulnerabël. Do të jetë kapitali njerëzor, e përkthyer në aftësinë dhe në punësim, një nga prioritetet e këtij viti. Regjistrimet në arsimin profesional në këtë vit kanë qenë rekord.“, tha Mete.

Ministri u pyet edhe për lojërat e fatit, teksa tha se informaliteti luftohet duke i formalizuar ato por në mënyrë të kontrolluar dhe transparente.

“Lojërat e fatit, mendoj se ka pasur diskutime të shëndetshme në komision për këtë sektor. Vlerësoj që duhet të kuptohet që qasja më efektive ndaj informalitetit është formalizimi që duhet të jetë i kujdesshëm dhe i kontrolluar, transparent. Besoj se ligji, edhe pas diskutimeve në komision ka disa aspekte që shkojnë drejt kësaj qasjeje, se pagesat do të jenë vetëm nëpërmjet sistemit të pagesave. Bëhejt fjalë vetëm për lojëra online të kontrolluara, janë shtrënguar kërkesat për operatorë me eksperiencë ndërkombëtare, të ketë elementë gare sepse numri i licensave është i kufizuar që të jetë sa më transperent ashtu sic ligji thotë që të ardhurat shkojnë për ato që konsiderohen cështje të mira, arsim, inovacion dhe sport. Besoj se diskutimet në komision kanë qenë në frymën e përmirësimit të ligjit.“, tha Mete./abcnews.al