Qëlloi në mesnatë, me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në rrugë dhe dëmtoi një automjet të parkuar, vihet në pranga 83-vjeçari. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 83-vjeçari kërcënoi me armë zjarri kallashnikov, për t’i vrarë, punonjësit e Policisë. Me ndërhyrjen e specializuar të Forcave Kombëtare të Sigurisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe venia në pranga e 83-vjeçarit.

Në banesën e të arrestuarit, Policia sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara.

Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej. Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër.Bashkëshortja e Fasli Hykës, Hyrije Hyka, ka dëshmuar se si burri i saj qëlloi në drejtim të tre të rinjve të cilët i shpëtuan plumbave. 83-vjeçarja rrëfen për gazetarin e Neës24 dhe BalkanWeb, Senad Nikshiqi se bashkëshorti i saj Fasli Hyka dëgjoi disa zhurma pas mesnate që vinin nga rruga dhe po i shqetësonin dy të moshuarit. Në atë moment ka telefonuar policinë duke i kërkuar që të vinin për të vendosur qetësinë. Pa kaluar shumë kohë 83-vjeçarja, e cila ndodhej në shtrat në atë moment tregon se dikush e ka sharë burrin e saj, i cili ka marrë çiften më pas duke qëlluar në drejtim të tyre.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.