Sokol Sinomati, i njohur si “buzëderri” ka marrë leje nga burgu i Peqinit për të qenë i pranishëm në ceremoninë e varrosjes së të birit, Gëzim. Sinomati shoqërohet nga 100 forca sigurie, e ndërsa në qytetin e Vlorës janë ngritur edhe postoblloqe sigurie.

Gëzim Sinomati u vra 2 ditë më parë në një atentat mafioz, teksa u qëllua me snajper nga persona ende të paidentifikuar, kur po pinte një cigare në ballkonin e banesës së tij.

Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi babai i viktimës, Sokol Sinomati ishte pjesë e bandës së Gazmend Brakës i njohur si “Gaxhai”, në Vlorë në vitin 1997 dhe kishte nofkën “Buzëderri”. I riu sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe mbante emrin e xhaxhait, të vrarë në vitin e mbrapshtë 1997. Një tjetër detaj që po heton policia për krimin e mbrëmjes së kaluar është se në lagjen “Hajro Çakërri”, në momentin e të shtënave nuk ka pasur drita. Nuk dihet nëse është rastësi apo e planifikuar nga autorët, teksa hetimet vijojnë.

  • Kush është Sokol Sinomati? 

Sokol Sinomati është i dënuar për një vrasje të ndodhur më 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuhon, qëlloi gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit. Ai është akuzuar për ngjarje të ndryshme kriminale, teksa dy vite më parë i vunë tritol makinës së vëllait të tij, Bernard Sinomati.