Senati italin ka miratuar përfundimisht projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy qendrave në territorin shqiptar për të pritur 3 mijë emigrantë. Sipas mediave italiane, projektligji u miratua me 93 vota pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim.

Marrëveshja për emigrantët, e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni në Romë, mori dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese, pasi 30 deputetë të opozitës kërkuan rrëzimin e saj duke pretenduar se është antikushtetuese dhe shkel sovranitetin e vendit.

Gjykata argumentoi se kjo është një marrëveshje që nuk ndryshon integritetin territorial dhe se nuk cënon të drejtat e njeriut. Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy qendrave në Gjadër për strehimin e emigrantëve. Kapaciteti maksimal i numrit të emigrantëve nuk do të jetë më shumë se 3 mijë.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët./abcnews.al