Nis në Gjykatën e Elbasanit seanca e radhës ndaj katër të miturve, të cilët vranë me thikë bashkëmoshatarin e tyre Fatjon Bici.
Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2023, në qytetin e Gramshit.
Tashmë trupi gjykues ka pranuar gjykim të shkurtuar për 4 adoleshentët, vendim i cili është kundërshtuar nga familjarët e viktimës. Në seancën e sotme pritet pretenca e prokurorit.
Në rastin e një gjykimi të shkurtuar 4 adoleshentët të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” rrezikojnë dënimin deri në 8 vite burg, ndërsa në një gjykim normal ata nuk do të mund të dënohen më shumë se 12 vite burg, siç parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur.
Mbi katër të miturit rëndon akuza “vrasje me rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”.
Ngjarja e rëndë u shënua vetëm pak metra larg shkollës ku katërt adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.