Kuvendi është mbledhur këtë të enjte ku u diskutua rreth mandatit të deputetes së mazhorancës Olta Xhacka.
Pas një seance të gjatë, me 39 vota pro dhe 72 kundër është rrëzuar kërkesa. Kuvendi ka votuar kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në Gjykatë Kushtetuese.
Më herët në fjalën e saj Xhaçka deklaroi se nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga trualli shtetëror dhe gjithashtu hodhi poshtë akuzat e opozitës.
“Unë dhe familja ime nuk kemi përfituara asnjë qindarkë nga fondet publike, zero! Asnjë m2 tokë publike zero! Asnjë lehtësi procedurale të ndryshme nga të gjithë të tjerët. Zero! E dini se çfarë është përfitimi nga statusi I investitorit strategjik të asistuar. Se nuk është aspak I barabartë me atë të investitorit strategjik që thoni ju. Përfitim që në çdo rast, ligjërisht nuk i atribuohet fare drejtpërdrejt bashkëshortin tim në hoteleri që kurrë mos u bëftë, pas baltës së pamerituar që solli në jetën tonë, por kompanisë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin. Vetëm e drejta për tu trajtuar me prioritet për lidhjen e njërës prej 1500 kontratave të përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit para hotelit. A lejohet potencialisht kur të kryhet investimi, kur të lidhet kontrata që mund të mos ndodhë kurrë, të vërë apo të mos vërë shezlong në plazh. Jam e bindur që gjysma e sallës me këtë interpretim ligjor është në papajtueshmëri të mandatit”, ka thënë Xhaçka.
Sipas Xhaçkës, bashkëshorti ka vite që merret me biznes dhe vendosi të bëjë një investim privat, i cili nuk ka lidhje me postin që ajo përfaqëson.
“Në këtë rast bashkëshorti im që merret prej 33 vjetësh me biznes vendosi të bëjë një investim. Së fundmi, edhe në këtë rast emri im është futur si derri në thes, nga linçuesit që lirinë e tyre e përdorin për të bërë akuza të pavërteta. Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga trualli shtetëror, zero”, u shpreh ndër të tjera Xhaçka.