Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Qeveria ka ndryshuar projektligjin për studentët që ndjekin degën mjekësi e përgjithshme në institucionet e arsimit të lartë publik.
Drafti i hedhur për konsultim shkurton afatet e punësimit në Shqipëri për mjekët e rinj nga pesë në tre vjet për studentët e vitit të parë, për studentët e vitit të dytë deri në të katërt nga tre në dy vjet, për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë kjo periudhë zbret në 1 vit.
Para regjistrimit në universitet studentët nënshkruajnë marrëveshje me ministrinë e Arsimit, atë të Shëndetësisë dhe Institucionin e Arsimit të lartë publik përmes së cilës pranojnë kalimin e diplomës nga shkolla e lartë në vendin e punës deri në përmbushje të detyrimit.
Ndërkohë ministria e Shëndetësisë duhet ti sigurojë punësim mjekut të ri brenda tre muajve nga përfundimi i universitetit. Ai punësohet në institucionet shëndetësore publike ku ka nevoje për mjekë dhe në bazë të notës mesatare mund të përzgjedhë vendin e punës.
Në rastet kur punësimi nuk realizohet për arsye që nuk varen nga mjeku deri në krijimin e mundësisë për punësim ai duhet të paguhet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm për nëntë muaj. Në rast të kundërt mjeku mund të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike.
Projektligji përjashton nga detyrimet dhe të drejtat studentet e huaj dhe ato nga trojet. Ky projektligj parashikohet të zbatohet për një periudhë katër vjeçare dhe të nisë veprimin në vitin akademik 2023 – 2024 deri në atë 2027-2028.
Ligji për studentët e mjekësisë kaloi në kuvend më 21 korrik 2023. Pas kundërshtive dhe protestave që zhvilluan atë kohë studentët e mjekësisë ai pezullua ndërsa Gjykata Kushtetuese më 25 janar të këtij viti i kërkoi qeverisë të plotësojë ligjin brenda tre muajsh.