Rezultatet e censit të popullsisë dhe banesave që pritet të publikohen në fund të qershorit do të përcaktojnë edhe sa para do të marrin bashkitë nga viti i ardhshëm. Në fund të këtij viti Ministria e Financave do të ndryshojë edhe formulën me atë të së cilës iu shpërndahen fondet 61 njësive të pushtetit vendor.
“Ishte e pritshme kjo vendimmarrje. Ne kemi mungesë të dhënash dhe rezultatet e këtij censi që do të publikohen pjesërisht muajin tjetër do të tregojnë një farë panorame. Mbi ato të dhëna do të ndërtohet edhe formula e re e transfertës së pakushtëzuar”, u shpreh Agron Haxhimali, ekspert për çështjet e pushtetit vendor.
Në Strategjinë për Menaxhimin e Financave hedhur për konsultim publik thuhet se gjetjet e Censit do të shërbejnë për të parandaluar dhe korrigjuar veçanërisht çrregullimet demografike të dekadës së fundit.
“Këtu kam dyshime se kjo mund të arrihet. Nuk është çështje e vlerës së fondeve, por e mënyrës se si ato shpenzohen. Pavarësisht formulës, nëse ato nuk shkojnë atje ku duhet nuk do të kemi frenim të largimeve”, tha eksperti.
Bazuar edhe te vetë të dhënat e Institutit të Statistikave, të raportuara paraprakisht, rezultatet e Censit do të tregojnë për një popullsi të mpakur. Po si do ta ndikojë rënia e numrit të popullsisë mënyrën se si ju jepen paratë bashkive?
“Një gjë është e sigurt: Buxheti për bashkitë nuk do të jetë më i ulët nga ky vit. Kjo si rrjedhojë e ligjit për financat vendore. Transferta e pakushtëzuar për bashkitë nuk mund të jetë sa më pak se 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Më shumë se sa fondi në dispozicion, për eksperten e financave vendore Merita Toska, rëndësi ka mënyra se si do të menaxhohen paratë.
“Nëse individëve, veçanërisht atyre në zonat rurale nuk ju krijohen kushtet normale të jetesës, do vijojmë të kemi të njëjtat problematika të trashëguara”
Për të ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet, 61 bashkitë në vend kanë në dispozicion këtë vit 71 miliardë lekë. Në raport me këtë vit, buxheti në dispozicion i njësive të pushtetit vendor u rrit me 7.4 miliardë lekë apo 10.4 për qind.