Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 40-vjeçares shqiptare, Enkelejda Danaj në Greqi.
Sipas informacioneve paraprake dyshohet se është goditur nga ish-bashkëshorti Eduart Danaj, 50-vjeç. Viktima dhe autori i dyshuar janë me origjinë nga Vlora.
Viktima raportohet se kishte bërë dy denoncime për dhunë në familje ndaj ish-bashkëshortit të saj, Eduart Danaj, 50 vjeç nga Vlora, i cili është në kërkim nga autoritetet greke.
Denoncimi i parë i saj ndaj ish-bashkëshortit është bërë në shtator 2022 dhe e dyta shumë më vonë, të Shtunën e Madhe në AT Peristeri.
Në të njëjtën kohë, dyshohet se është një dëshmitar, i cili pretendon se e ka parë gruan në momentin që u godit me thikë.
Viktima është gjetur e pajetë rreth orës 06:00 nga një banor i zonës dhe ka njoftuar policinë.
“Më datë 03.04.2013 viktima ka bërë padi ndaj ish-partnerit të saj për dhunën në familje, i cili është arrestuar dhe dërguar në Prokurori.
Më datë 18.09.2022, viktima ka bërë kallëzim ndaj ish-partnerit të saj për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje), i cili është arrestuar dhe dërguar në Prokurori. Përmendet se kishte një urdhër gjykate në bazë të të cilit autorit i ishte ndaluar të jetonte me viktimën, por ajo vetë e kishte lejuar që nga viti 2018. Asaj i është dhënë një dokument për ekzaminim nga mjeku ligjor dhe një formular me agjencitë dhe numrat e telefonit për viktimat e dhunës në familje.
Më datë 07.05.2024, viktima ka bërë padi ndaj ish-partnerit të saj për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje), i cili u arrestua dhe u dërgua në Prokurori, ndërsa për të premten e datës 17 maj 2024 do paraqitej në gjyq. I është dhënë urdhër për ekspertizë mjeko-ligjore dhe i janë dhënë informata, udhëzime dhe material i shtypur, për të marrë, nëse dëshiron, ndihmën e nevojshme nga organet kompetente. Përveç kësaj, ajo u informua për mundësinë e instalimit të aplikacionit “Panic Button” në celularin e saj dhe iu dha një kod për të hyrë në aplikacionin në fjalë. Ajo u informua për mundësinë e transferimit të saj në një strukturë pritëse dhe deklaroi se nuk dëshironte.”, thuhet në njoftimin e policisë. /abcnews.al