Nëntë vite më parë, një punonjës i rëndësishëm i bashkisë Himarë, i quajtur Arqile Bollano, që sot mban postin e kryetarit të komanduar të bashkisë Himarë, ndërtoi një listë emërore për disa banorë të zonës, të cilët duhet të trajtoheshin me tokë nga bashkia Himarë.
Ndërtimi i kësaj liste argumentohej me faktin se këto familje nuk ishin trajtuar me tokë bujqësore në vitin 1991-1992, por për shkak se ishin përdorues faktik të disa ngastrave toke, këto sipërfaqe duhet ti njiheshin nga ana e bashkisë Himarë.
Në kohën e paraqitjes së listës së përfituesve në Bashki, Arqile Bollano ishte pjesë e grupit të punës në bashkinë Himarë, ku kryente plotësimin e procedurave që do shpallnin emrat përfitues të tokës.
Pikërisht në këtë listë, ishte dhe emri i Arqile Bollanos, njeriut kryesor që drejtonte grupin e punës për trajtimin e personave me tokë nga ana e bashkisë së Himarës.
Sipas dosjes hetimore del se Bollano vetë firmoste, vetë verifikonte dhe më pas vetë rezulton të jetë përfitues i dy ngastrave me tokë me një sipërfaqe totale prej 4900 m2 në zonën e Himarës.
Bollano, përfitoi pronësinë mbi dy sipërfaqet e tokës, ku tek njëra prej tyre prona e fituar nga zyrtari i bashkisë, u mbivendos në pothuajse 80 për qind mbi pasurinë e një mësuesi në Himarë. Një fakt i tillë është provuar dhe përmes një akti-ekspertimi topografik të kryer nga prokuroria që ka ndjekur rastin.
Rezulton se firmëtar final për përfitimin e këtyre dy ngastrave nga zyrtari Arqile Bollano dhe personave të tjerë, rezulton të jetë kryetari i asaj kohe, Jorgo Goro, aktualisht në burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me rastin e tokës të përfituar në zonën e Himarës nga Artan Gaçi, burri i deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Por ky rast kundër Jorgo Goros, është vetëm një episod i dokumentuar nga prokuroria e Vlorës dhe më pas transferuar në prokurorinë e posaçme SPAK.
Pasi një rast i dytë akoma dhe më i rëndë që përfshin Jorgo Goron dhe vetë kryetarin e komanduar të Himarës, Arqile Bollano, pritet të thellojë skandalin e rrëmbimit të pronave publike dhe private në zonën bregdetare.
Sipas dosjes hetimore Jorgo Goro, në cilësinë e kryetarit të bashkisë Himarë, ka firmosur për përfitimin e dhjetëra mijë metra katror tokë nga disa familje bujqësore.
Praktika është përpiluar dhe argumentuar në formën se këto familje bujqësore nuk janë trajtuar me tokë gjatë vitit 1991-1992. Dhe për shkak se këto familje dispononin dhe kishin në përdorim faktik disa ngastra me sipërfaqe toke në zonën e Himarës, këto toka duhet ti njiheshin nga bashkia.
Mes përdoruesve faktikë në listën e përfituesve është dhe Arqile Bollano, aktualisht kryetar i komanduar i bashkisë Himarë. Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria, ka rezultuar se në periudhën e përpilimit të kësaj praktike, 2015-2016, Bollano ishte pjesë e grupit të punës që ka ndërtuar listën e përfituesve.
Ndërkohë nga një verifikim i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se Arqile Bollano, nuk duhet të përfitonte pronësinë mbi dy ngastrat e tokës, pasi ai rezulton në librin e fermerit se është trajtuar me tokë në vitin 1991.
Ligji e përcakton qartë se familjet bujqësore që janë trajtuar me tokë nga komisionet e ndarjes së tokës, përjashtoheshin nga përfitimi, edhe nëse ishin përdorues faktikë të një sipërfaqe toke. Kjo pasi pjesën takuese
Por kjo gjë nuk është mbajtur parasysh, sikundër nga ana e kreut të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, nuk është marrë asnjë masë për të kryer verifikime në teren nëse tek këto sipërfaqe toke, ka mbivendosje ose jo, nëse mbi këto sipërfaqe toke ka ndërtime me leje ose pa lejë, nëse për këto sipërfaqe toke ka apo jo pretendentë të tjerë të pronësisë, nëse është e rregulluar marrëdhënia mes kufitarëve etj.
Për shkak të këtyre shkeljeve të njëpasnjëshme dhe nisur nga pozita juridike e Arqile Bollanos, i cili mban funksionin e kryetarit të komanduar të bashkisë Himarë, prokuroria e Vlorës vendosi të shpallë moskompetencën dhe dosjen t’ia kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.
Tashmë është kjo prokurori që po ndjek rastin duke bashkuar çështjen e dosjen e Jorgo Goros, kryetarit të bashkisë Himarë të arrestuar.
Arqile Bollano, është kryetari i tretë që përfundon në SPAK, pas arrestimit të Fredi Belerit dhe Jorgo Goros. Ndërsa kryetarja e komanduar e kësaj bashkie, Blerina Bala, ka dhënë dorëheqjen.\ORA NEWS