Fredi Beleri ka mbërritur në Athinë ku është pritur me puthje dhe përqafime. Siç raportojnë mediat në shtetin helen, pasi zbriti në aeroportin Eleftherios Venizelos, Beleri deklaroi:” Nuk e them vetëm unë që jam i pafajshëm, kështu thonë edhe shqiptarët.”

“Ata nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë që i mbron,” raportohet të jetë shprehur ai për grekët e Shqipërisë.

Kujtojmë se Beleri, i cili e humbi mandatin si kryetar i bashkisë Himarë pasi u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash, u lirua këtë mëngjes nga burgu për t’u nisur drejt kryeqytetit të Greqisë, nga ku më pas do të niset për në  Strasburg për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian.

Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të së shtunës së 20 korrikut për t’u rikthyer e për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.

Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, ai do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel.