Finalizohet operacioni policor i koduar “Cousins” gjatë të cilit u godit një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Policia identifikoi 2 shtetas (kushërinj) si autorë të dyshuar të këtij rasti. Njëri prej tyre u kap në flagrancë dhe u vu në pranga, ndërsa tjetri u shpall në kërkim dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar edhe në inteligjencën policore për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cousins”.
Si rezultat i operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga Indrit Çoku, 31 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim”.
Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e kushëririt të shtetasit të arrestuar, konkretisht e shtetasit Arben Çoku, 54 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në territorin e banesës së shtetasit Indrit Çoku, kishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike i kryer në bashkëpunim”.