Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për tenderin që lidhet me pajisjet elektronike të votimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hetimi ka filluar pas një kërkese të dërguar nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, më 16 gusht 2024.
Në kërkesën e SPAK-ut, kërkohet nga KQZ të dorëzojë dokumentacionin e plotë të dy procedurave të prokurimit. E para, me numrin REF-83073-12-23-2020, ka për objekt “Sistemet/pajisjet e teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor”. E dyta, me numrin REF-89113-03-04-2021, ka për objekt “Sistemet/pajisjet e teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”, thuhet në kërkesë.
Shkak janë bërë shqetësimet në lidhje me transparencën dhe procedurat e ndjekura gjatë prokurimeve për pajisjet elektronike që do të përdoren në zgjedhjet e ardhshme. Hetimet synojnë të verifikojnë nëse janë ndjekur rregullat dhe procedurat e duhura gjatë këtij procesi.