Amarildo Hoxhallari, 34-vjeçari që u masakrua me thikë mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit, në Tiranë, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Mjekët thanë se, pavarësisht përpjekjeve, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.

I riu është paraqitur ne spital me 4 goditje thike, dy prej të cilave në kraharor, shumë pranë zemrës. Autori i dyshuar, është Darmend Keli, 25 vjeç, i cili u shoqëruar menjëherë pas ngjarjes që ndodhi në orën 18:45, ndërsa është bërë edhe arrestimi i tij. Ai u ndalua nga shërbimet e Komisariatit nr.6 dhe më pas u shoqërua në Drejtorinë e Tiranës, ku dhe u mor në pyetje nga prokurori i gatshëm.

Nga hetimet paraprake, nisur edhe nga deklarimet e të dyshuarit, ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie. Dyshohet se Darmend Keli e akuzonte viktimën, Amarildo Hoxhallarin se i kishte ngacmuar të dashurën. Në debat e sipër në rrugë, ai e ka goditur 4 herë me thikë duke e lënë të shtrirë ne rrugë dhe është larguar me vrap nëpër rrugicat e zonës. Brenda pak minutash është ndaluar nga shërbimet e Policisë.

Viktima është kushëriri i Aurel Hoxhallarit, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, si organizator i vrasjes së Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2018. Ndërsa më herët, në janar të vitit 2015, të dy kushërinjtë, Amarildo dhe Aurel Hoxhallari, u arrestuan si të dyshuar për një tjetër atentat në Tiranë, ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit.

Ata u arrestuan më 10 janar të vitit 2015, ndërsa fillimisht Gjykata vendosi për ta masën e sigurisë 20 ditë “arrest me burg” për t’i dhënë kohë Prokurorisë për të faktuar akuzën. Në atentatin e Rrugës së Kavajës, personi që plagosi Pajtim Serjanin, Artur Baze, i dyshuar si vrasës me pagesë, mbeti vetë i vrarë, pasi u qëllua nga efektivi i Policisë Roland Mete. Në atë kohë të dy kushërinjtë Hoxhallari mohuan akuzat dhe në pamundësi për të provuar pjesëmarrjen e tyre në ngjarje, Gjykata e Krimeve të Rënda i liroi 20 ditë më vonë./abcnews.al