Në rubrikën më të re të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, “Gen Alpha”, të rinjtë jo vetëm që do të diskutojnë për çështje aktuale të brezit të tyre, por edhe do të marrin informacione.
Nisur nga rrëfimi i Ilionit, 19-vjeçari që prej një viti e gjysmë ka arritur të shkëputet nga droga, e cila i krijoi varësi për 5 vite, në studio prezantohet një insert.
Këtë herë nuk është një konsumator, por një ish-shpërndarës droge, identiteti i të cilit është ruajtur për arsye privatësie, që u përgjigjet disa prej pyetjeve që zakonisht përgjigjen e kanë nën zë. Ish-shpërndarësi tregon moshat më të prekura, mospërjashtimin e vajzave, rekrutimin e shpërndarësve të rinj, motivet që të shtyjnë drejt drogës dhe çfarë ndodh me policinë.
-Në çfarë moshe përdoret më shumë?
Ish-shpërndarësi: 13 vjeç deri në moshën 25-30.
-Ku shpërndahet?
Ish-shpërndarësi: Shpërndarja bëhet më së shumti nëpër shkolla, nëpër parqe ose siç i thonë zona e “Bllokut” se aty frekuentojnë shumë të rinj lokale nate, shkojnë e dalin për qejf dhe domosdo do e marrin një gjë, një lëndë narkotike siç i thonë, hashash ose ndonjë substancë tjetër.
-Po vajzat e konsumojnë?
Ish-shpërndarësi: Kur unë kam qenë vetë shpërndarës, ka pasur shumë goca që vinin dhe e blinin vetëm për të bërë video në TikTok, për të nxjerrë video në rrjete sociale, por ajo në fillim niset për të bërë një video e pastaj fillon kurioziteti se çfarë efekti mund të ketë dhe bie pre, fillon e bëhet konsumator i rregullt dhe lindin probleme pastaj, sherr në familje, ikën nga klasa, do lërë orët emësimit, do të shkojë vonë në shtëpi.
-Ata që e pijnë vetë, edhe e shesin?
Ish-shpërndarësi: Normale që ka për arsye se një i ri shkon për të blerë dhe duket që nga tipi që mund të jetë i shkathët, mund të jetë i lëvizshëm dhe gjithmonë ato më të mëdhenjtë interesohen për të gjetur çuna të shkathët, të jenë të besës, mos të spiunojnë, të jenë të shpejtë për t’i ikur policisë. Unë kam qenë vetë pjesë e atij djalit, në thonjëza, që s’ka pasur mundësi për ta blerë dhe normale, kam ndenjur afër dikujt që mund të ketë shpërndarë për arsye se thjesht doja ta pija, rrija me ta gjithë ditën dhe domosdo filloja të bëhesha edhe unë pjesë se fillon të futet edhe në qejf për të pasur lekë, pastaj bëhet edhe për t’u dukur, për të treguar… si të gjithë minorenët.
-Nuk kanë frikë nga policia?
Ish-shpërndarësi: Policia e di shumë, shumë mirë se ku, si dhe qysh bëhet shpërndarja dhe normale që ka korrupsion, normale që korruptohen./tvklan.al