Komisioni Evropian do të rekomandojë ndalimin e pirjes së duhanit, duke përfshirë këtu edhe produktet pa nikotinë në tarracat e kafeneve, stacionet e autobusëve dhe kopshtet zoologjike, sipas një dokumenti të zbuluar nga Euronews.
Komisioni Evropian do të propozojë shtimin e ndalimeve ekzistuese të konsumimit të duhanit në zonat e jashtme, duke përfshirë produkte inovative që nuk përmbajnë nikotinë, sipas draftit të parë nga Euronews.
Planet, që pritet të miratohen nga ekzekutivi i BE-së këtë të martë, do të zgjerojnë udhëzimet aktuale të 2009-ës që synojnë të zvogëlojnë ekspozimin ndaj tymit në vendet publike, vendet e punës dhe transportin publik. Versioni i fundit i draftit kërkon të pastrojë hapësirat publike nga të gjitha aerosolet, jo vetëm nga tymi i cigares, duke reflektuar shqetësimet në rritje mbi rreziqet shëndetësore që paraqesin produktet e reja të duhanit si avujt.
Udhëzimet nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ofrojnë një kornizë që shtetet anëtare ta ndjekin si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të frenuar kancerin e lidhur me duhanin.
Synimi i produkteve të reja të duhanit
Rekomandimet e reja të Komisionit synojnë të trajtojnë një gamë më të gjerë produktesh në zhvillim, duke përfshirë “produktet e duhanit të ngrohur dhe cigaret elektronike, qofshin ato që përmbajnë nikotinë ose pa nikotinë”.
Po kështu, Komisioni dëshiron të përfshijë “zëvendësuesit e duhanit dhe çdo produkt tjetër që lëshon tym dhe/ose aerosol”.
Këto produkte, shpesh të tregtuara si alternativa më të sigurta për duhanpirjen tradicionale, ende i ekspozojnë kalimtarët ndaj kimikateve të dëmshme nëpërmjet aerosoleve të përdorura, thotë dokumenti. Po ashtu, provohet se ekspozimi ndaj “aerosoleve nga cigaret elektronike, me dhe pa nikotinë, i ekspozon kalimtarët ndaj niveleve të matshme të grimcave dhe toksinave”.
Zonat e reja për ndalimin e duhanit
Një tipar kryesor i propozimit është shtrirja e ndalimit të pirjes së duhanit në hapësira të ndryshme të jashtme, e cila deri më tani është rregulluar rast pas rasti në shtete anëtare të veçanta.
“Niveli i mbulimit të rregullave pa duhan ndryshon shumë bazuar në llojin e mjediseve pa tym, dhe niveli i përgjithshëm i mbulimit të hapësirave të jashtme në politikat pa duhan është i ulët“, tha Komisioni.
Sipas udhëzimeve të reja, zonat e jashtme ose gjysmë të jashtme, të përcaktuara si hapësira pjesërisht të mbuluara ose të mbyllura si çatitë, ballkonet, verandat dhe oborret, të lidhura me objektet e shërbimit si restorantet, baret dhe kafenetë duhet të bëhen zona pa tym. Qendrat e transportit publik, duke përfshirë stacionet e autobusëve dhe aeroportet do të bëhen po ashtu zona pa tym. E njëjta gjë në zonat e jashtme të lidhura me vendet e punës, spitalet dhe shtëpitë e pleqve. Zonat rekreative ku janë të pranishëm fëmijët, duke përfshirë këndet e lojërave publike, parqet argëtuese, pishinat dhe kopshtet zoologjike, janë gjithashtu të përfshira, si dhe ambientet arsimore nga kujdesi për fëmijët parashkollor deri në universitet.
Top Channel