Pak orë para protestës së PD, pasditen e kësaj të hëne, ‘blindohet’ kryeministria.

Opozita ka paralajmëruar protestë kombëtare, pasditen e sotme në 18:00, duke mbajtur të fshetë skenarin që do të ndiqet në protestë.Sakaq policia ka marrë një plan masash me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Që prej orës 18:00, e deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në boulevard nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Kufizime të qarkullimit të mjeteve do të ketë edhe ne disa segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të protestës.

Rrugët që do të bllokohen janë Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet; Nga shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit; Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja; Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës; Kryqëzimi i Librit Universitar; ai i 21 Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”; Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”; Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”; Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit; Kryqëzimi i urës së Taiëanit; ai i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”; Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”; Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave; Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”; si dhe Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.

Mësohet se në teren do të jenë më shumë se 1 mijë forca policie të cilët do të qëndrojnë para kryeministrisë, si dhe në institucione të tjera ku protestuesit do të kryejnë tubimin.

Policia e Shtetit i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në tubim, e të distancohen nga aktet e dhunës.