Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Nasif Musain në akuzë për ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin N.M., i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79/c dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.379, të vitit 2024, rezultoi e provuar se në datë 06.03.2024, rreth orës 08:00, në fshatin Çukas i Ri, Njësia Administrative Allkaj, Bashkia Lushnjë, ka pasur një konflikt fizik mes shtetasve N.M dhe A.M, vëllezër me njëri-tjetrin, lidhur me çështje pronësie.
Gjatë këtij konflikti, i pandehuri N.M, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vëllait të tij, viktimës A.M, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.
Top Channel