ANGLI- Gjermani Thomas Tuchel është emëruar trajneri i ri i kombëtares së Anglisë në futboll. Kjo u njoftua zyrtarisht të mërkurën nga Federata e Futbollit (FA).

Sipas mediave britanike, Tuchel ka nënshkruar një kontratë 18-mujore, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2025 dhe do zgjasë deri në fund të Kupës së Botës 2026.

Thomas Tuchel bëhet trajneri i tretë i huaj që drejton Anglinë pas suedezit Sven Goran Eriksson dhe italianit Fabio Capello.

Tuchel, i cili u largua nga Bayern Munchen në fund të sezonit të kaluar, u shpreh se: “Jam shumë krenar që më është dhënë nderi të drejtoj ekipin anglez. Të kesh mundësinë për të përfaqësuar Anglinë është një privilegj i madh dhe mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese”, shtoi ai.

Trajneri anglez Anthony Barry do të jetë ndihmësi i Tuchel. Tuchel drejtoi Mainz, Borussia Dortmund, Paris St-Germain dhe Chelsea përpara se të transferohej te Bayern.

Anglezi Gareth Southgate dha dorëheqjen në korrik pas humbjes së Anglisë kundër Spanjës në finalen e “Euro 2024”, kompeticion ky, i cili u mbajt në Gjermani./abcnews.al