SPAK ka dhënë detaje në lidhje me operacionin për arrestimin e ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se ish-deputeti Jurgis Çyrbja ka bashkëpunuar me personazhin e krimit të shpallurin në kërkim Altin Hajri.
Hajri i siguroi votues në zgjedhjet e vitit 2021 Çyrbes, ndërsa nga ana tjetër ky i fundit e ndihmonte që t’i shpëtonte drejtësisë.
Altin Hajri është emër i njohur për drejtësinë, pasi dyshohet se mori pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.
Mësohet se Altin Hajri është një nga dy pronarët e kompleksit “Golden”, ndërsa vëllai tjetër Emiljano Hajri është i arrestuar.
“Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.
I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare-deputet, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal”, sipas njoftimit të SPAK.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja ra në pranga në Shijak mbrëmjen e një dite më parë i akuzuar për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha gjatë edicionit kryesor informativ tha se burime shumë të sigurta konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.
Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.
Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.
Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.
I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.
Top Channel