Sulmuesi i Milanit, Francesco Camarda ka shënuar emrin e tij në historinë e futbollit italian. Në moshën 16 vjeç e 226 ditë, Camarda bëhet lojtari më i ri italian në historinë e futbollit, që luan në Champions League.

I aktivizuar nga stoli ndaj Club Brugge, ai ka thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga sulmuesi Moise Kean, i cili debutoi me Juventusin në moshën 16 vjeç e 267 ditë.

Camarda më herët vendosi një tjetër rekord në futbollin italian, duke u bërë lojtari më i ri që debuton në Serie A, në moshën 15 vjeç e 8 muaj e 15 ditë, ndaj Fiorentinës më 25 nëntor 2023.

Megjithatë rekordi në Champions, sa i përket lojtarit më të ri që ka luajtur, mbahet nga Youssoufa Moukoko, që debutoi në moshën 16 vjeç e 18 ditë me Dortmund.

Camarda gjithashtu përjetoi emocione të përziera, pasi shënoi gol, i cili më pas u anulua për pozicion jashtë loje. Nëse do të ishte i rregullt, italiani do të bëhej lojtari më i ri në histori që shënon në Champions. /tvklan.al