Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 3 Shtator në “Don Bosko”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi. Sipas burimeve, është dhënë masa e arrestit me burg për njërin nga autorët dhe është shpallur në kërkim.

22 vjeçari Renaldo Metushi dhe 45 vjeçari Kastriot Elezi po pinin kafe në verandën e një lokali më 3 shtator 2024 në Don Bosko, kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45-vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri ndërsa Metushi u plagos në këmbë.

Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.”, njofton policia.

Si ndodhi ngjarja?

Për sa i përket ditës së ngjarjes, tre autorët , kanë mbërritur në afërsi të lokalit rreth orës 13:40 minuta, gjysmë orë para se të kryenin atentatin. Në zonën pranë lokalit autorët kanë qëndruar të parkuar pranë një pallati, pa dal nga automjeti tip “Golf 5”. Nga ajo çka është filmuar nga kamerat e sigurisë, Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi kanë ardhur në këmbë dhe janë ulur në verandën e lokalit për të konsumuar kafe.

Për t’u siguruar se aty ndodheshin dy personat që kërkonin, autorët kanë lëvizur për një moment me makinën e tyre përballë me Elezajn dhe Metushin, ndërsa brenda pak çastesh janë rikthyer në cepin e pallatit. Aty kanë kthyer makinën dhe kanë qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçarit Renaldo Metushi, me 7 plumba pistolete me silenciator.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, është zbuluar se makina e autorëve të dyshuar ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes. Të njëjtin itinerar autorët e dyshuar kanë ndjekur edhe për tu larguar pas atentatit, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.

Dëshmia e Renaldo Metushit

“Jam i papunë dhe siç bëj zakonisht pija kafe poshtë banesë së Kastriotit tek lokali ku edhe ndodhi ngjarja. Ata të lokalit unë i njoh të gjithë pasi kam punuar para ca kohesh si kamarier aty. Për sa u përket autorëve nuk munda ti shoh pasi makina ishte me shpejtësi dhe gjithçka ndodhi për shumë pak sekonda. Kam ndjerë një dhimbje në pjesën e këmbës dhe kuptova qe jam plagosur me plumb. Unë nuk kam konflikte se di kush mund ta ketë bërë.”

E shkuara e Kastriot Elezit

Kastriot Elezi rezulton se ka qenë i dënuar për trafik dhe pjesëmarrje në një grup kriminal në Itali. Elezi ka kryer 2 vite burg dhe para disa kohësh është kthyer në Shqipëri./abcnews.al