Dhoma Amerikane e Tregtisë në komentet e bëra në draft Strategjinë Afatmesme të të ardhurave 2024-2027 dhe Planin e Veprimit i ka sugjeruar qeverisë që luftën ndaj informalitetit dhe nëndeklarimin e pagave të mos ta bëjë me fushata të përkohshme, gjë që më herët sipas tyre, nuk ka funksionuar, por me një politikë të studiuar gjithëvjetore. Ulja e informalitetit sipas anëtarëve të Dhomës së Tregtisë do të arrihet vetëm nëse përmirësohet administrimi tatimor dhe eleminohen përjashtimet e taksave të bërëa në kategori të caktuara.

“Duhet të hartohet një politike për luftën kundër informalitetit dhe implementimi i saj të ndiqet gjatë gjithë kohës. Eksperienca ka treguar se fushatat kundër informalitetit (psh fushatat në bregdet në kohën e sezonit turistik) nuk kanë funksionuar. Synime të tilla si: ‘Zvogëlimi i hendekut të pajtueshmërisë së TVSH’; ‘Zvogëlimi i shmangies tatimore’; ‘Reduktimi i punës së padeklaruar’ kanë qenë objektiv i qeverisë në vite por deri tani nuk kanë rezultuar shumë efektive”.

AmchamSugjerime, anëtarët e Dhomës Amerikane kanë bërë edhe për pragun e pagave të patatueshme duke kërkuar rritjen e këtij pragu brenda vitit 2024.

“Përshëndesim synimin e qeverisë për të ndryshuar skemën e tatimit të pagave duke rritur pragun e patatueshëm dhe duke ndryshuar normat e progresivitetit. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e jona. Ne sugjerojmë që ndryshimi të bëhet brenda fundit të vitit 2024, duke u fokusuar në rritjen e pragut të patatueshëm dhe rritjen e kufirit për të cilin aplikohet norma 13% dhe 23%”.

Dhoma Amerikane ka kërkuar gjithashtu edhe uljen e normës tatimore të TVSH-së për produktet e shportës që aktualisht është 20%.

“Ne sugjerojmë që çdo ndryshim në TVSH dhe akcizë (duke qenë të rregulluar në nivel evropian) të bëhen në përputhje me Direktivat përkatëse (harmonizim i plotë), përfshirë këtu normën e ulët tatimore të TVSH për produktet e shportës”.

Klasifikimi i biznesit sipas dhomës amerikane duhet të bëhet në bazë të fitimit pra të ngrihet një skemë tatimi mbi të ardhurat e bizneseve të vogla të bazuara jo në xhiro por në fitim.

(BalkanWeb)