Në total sportistët shqiptarë kanë marrë 5 medalje në aktivitetin e zhvilluar për sportin e ‘boksit’ në Ballkan. Dy kampionë dhe 3 nënkampionë Ballkani në kampionatin e mbajtur në Zagreb.
Denis Nurja triumfoi në duelin me kroatin Petar Cetinic, duke e shembur në ring në raundin e dytë dhe fituar medaljen e artë për peshën deri 69 kilogramë.
Një sukses me nock out për Nurjan që ishte dominues në këtë sfidë. Medalje e artë edhe për Alban Beqirin për peshën deri 75 kilogramë.
Beqiri e fitoi me pikë 3 – 2 përballjen me kroatin Noa Jezek që ishte më i saktë me goditjet e tij.
Medalje argjendi në këtë kampionat ballkanik morën Krenar Zeneli, Rexhildo Zeneli dhe Indit Laci. Në këtë aktivitet merrnin pjesë 7 vende të rajonit.