Fjala e Spiropalit: Sapo përfunduam një takim të dobishëm, konstruktiv dhe miqësor me homologen time, Shkëlqesinë e Saj Markéta Pekarová Adamová, Kryetare e Dhomës së Deputetëve të Republikës Ҫeke. Kryetarja Adamová, në krye të një delegacioni të nderuar parlamentar, ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare, duke reflektuar fuqinë e lidhjeve midis dy vendeve tona.
Marrëdheniet mes Shqipërisë dhe Republikës Ҫeke bazohen në respekt të ndërsjelltë dhe aspirata të përbashkëta. Ndër vite ne kemi thelluar dialogun tonë politik të nivelit të lartë, duke e zgjeruar bashkëpunimin në shumë dimensione.
Jam veçanërisht e inkurajuar nga bashkëpunimi në rritje midis parlamenteve tona – përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe shkëmbimeve mes ligjvënësve. Ky parneritet energjik është jo vetëm një dëshmi e vlerave tona të përbashkëta, por dhe një themel për ndërtimin e lidhjeve dypalëshe edhe më të forta në vitet në vijim.
Shqipëria i është thellësisht mirënjohëse Republikës Ҫeke për mbështetjen e palëkundur, entuziaste dhe parimore ndaj rrugëtimit tonë të integrimit evropian.
Vlerësoj fort rikonfirmimin e kësaj mbështetjeje nga Kryetarja Adamova, veçanërisht ndërsa ne nisim një fazë të re – përgatitjen për Konferencën e Tretë Ndërqeveritare, avancimin e negociatave mbi kapituj të rëndësishëm dhe hedhjen e bazave për një integrim më të gjerë brenda kuadrit të BE-së.
Aspirata jonë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 është si ambicioze, ashtu edhe e realizueshme. Është një qëllim që reflekton aspiratat e popullit tonë dhe vizionin strategjik të vendit tonë. E dimë që ky rrugëtim do të kërkojë vendosmëri dhe përpjekje, por me mbështetjen e miqve si Republika Ҫeke – përmes Parlamentit të saj, Senatit dhe Qeverisë-besojmë se do të mund t’ia dalim.
Samiti BE-Shqipëri i mbajtur në Tiranë, më 6 dhjetor 2022 gjatë Presidencës Ҫeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, theksoi fuqinë e këtij partneriteti.
Duke parë përpara, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian premton të nxisë më tej zhvillimin e Shqipërisë – duke përmirësuar integrimin rajonal, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe duke çuar përpara projekte kritike të infrastrukturës.
Përkrahja e Republikës Ҫeke shtrihet përtej marrëdhënieve tona dypalëshe. Përmes Grupit të Vishegradit dhe mbështetjes së tyre të gjerë ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, kanë dëshmuar angazhimin e tyre për të promovuar stabilitet dhe progres në rajonin tonë.
Me kolegen Adamová shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në kuadrin e Procesit të Berlinit, ku Shqipëria me krenari ka luajtur një rol drejtues. Ne gjithashtu presim me padurim mbledhjen e ardhshme të Komunitetit Politik Evropian, e cila do të zhvillohet në Tiranë gjatë vitit 2025, si një moment tjetër për të treguar angazhimin tonë të përbashkët ndaj unitetit evropian.
Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona vijon të rritet dhe diskutuam mënyrat për të çliruar potencial të mëtejshëm në fusha si transporti ajror, arsimi, kultura, shkenca e të tjera. Këto partneritete nuk kanë të bëjnë vetëm me tregtinë, por dhe me krijimin e mundësive për qytetarët tanë dhe ndërtimin e të ardhmes të përcaktuar nga inovacioni dhe bashkëpunimi.
Diskutimet tona shkuan dhe më tej, në rajon. Theksuam urgjencën e avancimit të integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si rruga drejt paqes së qëndrueshme dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën globale.
Rikonfirmuam vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke njohur kontributin thelbësor të komunitetit shqiptar në këtë proces. Ky vizion shtrihet dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, një vizion që i ka rrënjët tek vlerat e bashkëpunimit, demokracisë dhe progresit.
Në përfundim, theksuam mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në luftën e saj kundër agresionit rus. Shqipëria qëndron e vendosur me Ukrainën, jo vetëm sepse është gjëja e duhur për të bërë, por edhe sepse është në mbrojtje të parimeve, që ne të gjithë i kemi të shtrenjta-liria, sovraniteti dhe paqja. Ne do të vazhdojmë të jemi përkrah popullit ukrainas deri në çlirimin e tyre të plotë, rindërtimin e vendit të tyre dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.
Top Channel