Bonusi i fundvitit do t’u shpërndahen pensionistëve në fiullim të muajit dhjetor. Vendimi është zbardhur në Fletoren Zyrtare dhe parashikon që rreth 724 mijë pensionistë do të mund të marrin shpërblimin për fundvit sipas datave të përcaktuara për pensionin.
Ndërkohë, për ata persona që nuk kanë mundësi ta tërheqin bonusin brenda muajit dhjetor kanë afat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Nëse pensionistët nuk e tërheqin bonusin brenda muajit qershor të vitit 2025, ata humbasin të drejtën për ta përfituar atë.
Ndërkohë, ata pensionistë që e marrin pensionin nëpërmjet bankës do t’iu kalojë vlera e përllogaritur e bonusit në mënyrë automatik në llogari.
Bonusi i pensionistëve këtë fundvit do të jetë i ndarë në dy kategori: 511 mijë pensionistë do të marrin 15 mijë lekë shpërblim pasi kanë pension mujor nën 20 mijë lekë dhe pjesa tjetër prej 213 mijë do të marrin 10 mijë lekë bonus pasi kanë një pension mbi 20 mijë lekë. Për fundvit, përveç pensionistëve, do të përfitojnë shpërblime edhe disa kategori të tjera si personat që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social.
Ky vendim i ka kushtuar buxhetit të shtetit thuajse 10 miliardë lekë. Qeveria ka vendosur që të gjithë pensionistët do të marrin edhe një tjetër bonus në pranverën e vitit 2025, në varësi të rritjes ekonomike. Dhe për këtë arsye, ende nuk është përcaktuar vlera që do të ketë ky shpërtblim./abcnews.al