Rumania mbetet një anëtare e qëndrueshme e Bashkimit Evropian dhe një aleat “i fortë dhe i sigurt” i NATO-s, deklaroi presidenti rumun Klaus Iohannis, duke folur pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale nga Gjykata Kushtetuese.
Iohannis, një politikan i bindur pro-BE-së deklaroi se do të vazhdojë të mbetet në këtë post deri në zgjedhjen e pasardhësit.
“Rumania është një vend i qëndrueshëm, i sigurt dhe solid. E them këtë për ekonominë, për investitorët, për tregjet financiare. Mbetemi një aleat i besueshëm për Bashkimin Europian dhe për NATO-n.”
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani në fund të nëntorit papritur fitoi ekstremisti i djathtë Calin Georgescu. Për shkak të dyshimeve për ecuri jo korrekte Gjykata Supreme vendosi anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.
Gjyqtarët argumentuan vendimin me zbulimet e shërbimit sekret rumun, sipas të cilit vendi është bërë objektiv i një “sulmi agresiv hibrid rus”. Pretendimet e ngritura janë se Georgescu u mbështet masivisht në rrjetet sociale si Tiktok dhe Telegram gjatë fushatës elektorale në Rumani dhe se kjo u arrit me ndihmën e llogarive të koordinuara, algorimeve këshilluese dhe me reklamë të paguar.
Një fondamentalist i djathtë dhe i krishterë ortodoks pro-rus, praktikisht i injoruar nga politikanët dhe mediat kryesore, Calin Georgescu fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, një triumph ky të cilin askuh nuk qe në gjendje ta parashikonte.
Të dielën, në 8 dhjetor ishte parashikuar të mbahej balotazhi presidencial ku ai do të përballej me Elena Lasconi e qendrës së djathtë, por tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese procesi elektoral anulohet tërësisht dhe gjithçka do të nisë nga e para.
Top Channel