Marrëveshja e Partneritetit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes u nënshkrua sot në Bruksel.

Ky partneritet strategjik pritet të forcojë përpjekjet për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe të rrisë aftësitë e sigurisë dhe mbrojtjes.

Dokumenti u nënshkrua nga ministrat Igli Hasani dhe Pirro Vëngu, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Në Bruksel sot ne nënshkruam Marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më elastike”, shkruan ministri Hasani në X.

Pas nënshkrimit të Dokumentit të Partneritetit me Bashkimin Europian, Rama zhvilloi edhe një takim me Kaja Kallas, Zv. Presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Në orën 13.45 pritet të zhvillohet takim me Marta Kos, Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, ndërsa në orën 17:45 pritet të zhvillohet seancë plenare e Samitit të BE me Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria avancoi rrugëtimin drejt unionit europian, duke zhvilluar mbledhjet e tretë ndërqeveritare me BE dhe hapjen e kapitullit të gjashtë, një ditë më parë.

Nga Brukseli kryeministri Edi Rama e komentoi këtë zhvillim si “një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë”.

Sipas tij, ambicia jonë është të hapim më shumë grup-kapituj duke shpresuar që kjo të ndodhë në pranverë me ambicien që viti i ardhshëm të mbyllet me grup-kapitujt e hapur.

Kryeministri Edi Rama, Péter Ziarto Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë, vend që mban edhe Presidencën e radhës së BE-së, dhe Marta Kos, Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin komentuan këtë hap historik të Shqipërisë.

Top Channel