Një mjek saudit është autori i sulmit në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor gjerman Madgeburg, që shkaktoi vdekjen e dy personave, një prej të cilëve fëmijë, dhe plagosjen e 68 të tjerëve: 15 prej tyre janë në spital në gjendje kritike për jetën.

50-vjeçari përplasi makinën që drejtonte mbi turmën e njerëzve të mbledhur për të shijuar shpirtin e festave të fundvitit, por për të kthyer për shumë prej tyre në një makth. Autoritetet besojnë se mjeku ka vepruar i vetëm.

Autori u arrestua pak pas ngjarjes së rëndë. Ai kishte mbërritur nga Arabia Saudite e jetonte në Gjermani që prej vitit 2006. Shumë liderë botërore reaguan ndaj sulmit, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se i ka tmerruar, ndërsa presidenti Francen u shpreh thellësisht i shokuar.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e quajti ngjarjen e Magdeburgut një sulm brutal dhe burracak, e tha se ai duhet hetuar e ndëshkuar me rreptësinë më të madhe. Një shërbesë përkujtimore për viktimat do të mbahet sot në mbrëmje në katedralen e qytetit, ndërsa të gjitha eventet e planifikuara atje, përfshirë produksionet teatrale, janë anuluar përgjatë ditëve në vijim.

Ajo që ka befasuar më shumë në lidhje me autorin e sulmit është se ai nuk ishte një emër i njohur nga autoritetet për lidhje me ekstremistët islamikë, madje sipas postimeve online, mjeku duket se kishte qenë edhe kritik ndaj Islamit.

Hetuesit ende nuk kanë njoftuar se cili mund të ketë motivi i një akti të tillë. Sulmi erdhhi një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri në Itali.

Top Channel