Pas largimit të Alfred Pezës, një çetë hajdutësh po kontrollon dhe ndan paratë e Radio Televizionit Publik Shqiptar, i cili vazhdon të trajtohet si pronë private për të kënaqur orekset e kujtdo që ka sadopak pushtet brenda këtij institucioni, që paguhet me taksat e qytetarëve dhe duhet t’u shërbejë atyre. Në skenë dalin ‘kukulla’ e Leka Bungos, Aurora Polo si drejtoreshë e RTSH, ‘lubia’ Altin Basha i kapur duke vjedhur me të shoqen honoraret dhe uniformat e aktorëve, pleqtë e Këshillit Drejtues, ‘skifteri’ Eduart Shalsi që premtonte se do vidhte bukur si dhe disa kompani që shërbejnë si kanale të nëndheshme për të kaluar paratë drejt xhepave të duhur.

Inxhinierja Aurora Polo është ndoshta e vetmja funksionare publike, e cila paguhet me tre rroga shtetërore; si drejtore e RTSH, shefe e kabinetit në OST dhe si inxhiniere në Teatrin e Operas, ndërsa merr para edhe me biznesin privat për auditimin e eficencës në energji dhe ndërtesa, duke shfrytëzuar funksionon publik në OST.

Më 25 tetor 2024, Kuvendi i Shqipërisë  i është drejtuar me një kërkesë Këshillit Drejtues të RTSH, duke i lënë një afat 30 ditor për hapjen e garës për drejtorin e përgjithshëm. Me shumicë votash, anëtarët e këshillit drejtues nuk e miratuan hapjen e garës dhe argumentuan se nuk ka kohë fizike deri në fund të vitit 2024, për shkak të angazhimeve të tjera me programet e fundvitit. Arsyeja e bllokimit të drejtuesit të ri konsiston në finalizimin e disa aferave korruptive me programet e fundvitit, me përfitues ‘lubinë’ Altin Basha dhe finalizimin e qokave dhe pazareve me emërimet në RTSH.

Si mos mjaftonin vjedhja e fondeve me shfaqjet e teatrit si dhe pagesat e majme mujore për një program mediokër, kopje e shëmtuar e Portokollisë të quajtur Kosherja në RTSH, Aurora Polo dhe Leka Bungo kanë ndarë edhe 140 mijë euro për Altin Bashën për programet e fundvitit. Aferat asistohen nga ‘skifteri’ Eduart Shalsi, i cili është lidhje e ngushtë e kunatit të Aurora Polos, Aleko Polo. Ky i fundit ka qenë edhe shef kabineti i Shalsit, kur ishte ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ku në fakt mbrojti vetëm sipërmarrjen e gruas së tij të dytë Eranda Shalsi, duke i kaluar para publike për projekte, bizneset e burrit të Aurora Polos si dhe akulloret e kontaminuara të oligakut, Grigor Joti, i cili i kishte punësuar Shalsit djalin me gruan e parë në kompaninë e tij.

Gjyshi i RTSH

Leka Bungo, krahas bixhozit dhe pazareve me Vetingun, si babai i Genta Tafa Bungos, dikton në mënyrë klienteliste vendimet e Aurora Polos për të rikthyer në detyrë vetëm miqtë e tij.

Edhe në rastet kur vendi i punonjësit është i zënë Polo e gjen mundësinë për ti plotësuar dëshirën gjyshit të RTSH, i cili di të sillet si babaxhan me disa dhe si indiferent dhe si i pafuqishëm me disa të tjerë. Këshilli ka mundësinë të shpëtojë RTSH nga falimentimi duke rikthyer në punë të larguarit në mënyrë të padrejtë nga puna, por nuk i intereson shumë kjo gjë. Disa ish-punonjës kanë fituar çështjen gjyqësore për shkarkimin e padrejtë nga puna dhe kështu marrin paga për shkarkimin e padrejtë, teksa ndodhen në shtëpi.

Altin Basha kthen teatrin në dyqan familjar

Në vitin 2022 Altin Basha u emërua me vendim të Këshillit të Ministrave drejtor i Teatrit Kombëtar. Në këto dy vite punë, duket se ai është siguruar që jo vetëm t’i japë teatrit, por edhe të marrë nga pak, duke e kthyer në një dyqan familjar. Si përshembull në rastin e shfaqjes “Vojçek”, e miratuar nga bordi artistik në mars të vitit 2023, me regji të japonezit Kuniaki Ida. Për këtë shfaqje Altin Basha ka punësuar si skenografe dhe kostumografe bashkëshorten e tij, Iliriana Basha.

Ky është një konflikt i hapur interesi, por çifti artistëve janë kamufluar në mënyrën më të mundshme, sepse sipas dokumentave, Iliriana Basha nuk ka marrë asnjë pagesë për punën e saj, me pak fjalë ka bërë punë vullnetare. Mirëpo, në dosjen e shfaqjes më tej rezulton se zonja Iliriana ka kërkuar 12 milionë lekë për kostumet e aktorëve, edhe pse teatri ka një garderobë që mund të përdorej.

Por kostumografja duket se nuk ka përdorur asgjë nga garderoba dhe si përfundim veshjet e aktorëve janë paguar gati 11 milionë lekë. Por çudia më e madhe qëndron tek çmimet e veshjeve. Për pardesytë e aktorëve meshkuj janë paguar 500 mijë lekë, ndërsa për fustanet e aktoreve janë dhënë në disa raste nga 270 mijë lekë.

Njëri nga bashkëpunëtorët e çiftit Basha, rrobaqepësi Musa Fisniku, tha se ka punuar veshjet për shfaqjen në fjalë dhe se për një pardesy që Teatri Kombëtar ka paguar 500 mijë lekë, ai ua la “Piranjave” për 200 mijë lekë. Por nuk mbaron me kaq. Për këtë shfaqje, Altin Basha ka punësuar edhe dy persona nga rrethi i tij i të besuarve, si Ervis Saliasin dhe Benada Shutën. Këta dy persona kanë punuar për emisionin “Fustanella” të Altin Bashës, i pari si moderator dhe e dyta skenariste.

Benada Shuta është punësuar në shfaqjen “Vojçek” si make up artist (grimiere), por ndërkohë Shpresa Vasili, ish-grimiere e Teatrit Kombëtar, që tashmë ka dalë në pension tha për “Piranjat” se grimin tek kjo shfaqje e ka bërë e vetme. Po ashtu Benada Shuta ka dhe një aktivitet të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shkruhet se vepron në këto fusha si skenariste, asistent regjisore, organizatore dhe producente ekzekutive, pra askund nuk shfaqet si make up artist. Por pavaresisht kësaj, ajo ka marrë katër milionë lekë si grimiere e shfaqjes “Vojçek”.

Ndërkohë Altin Basha duket se ndonjëherë zgjat duart edhe nga Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Pavarësisht se është drejtor i Teatrit Kombëtar, ai ka vënë në skenën e eksperimentalit shfaqjen “E kuqe” dhe ka përfituar 24 milionë lekë fonde për këtë shfaqje. As këtu nuk ka munguar si skenografe dhe kostumografe bashkëshortja e tij, Iliriana. “Piranjat” i kërkoi Teatrit Eksperimental dosjen e plotë për këtë shfaqje, ku të saktësoheshin emrat e të gjithë të punësuarve, shtesat në buxhet, kostot për kostumografinë dhe rekuizitën, por ky informacion nuk iu vendos në dispozicion.

Shfaqja “E kuqe” ka pasur vetëm dy aktorë, Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj dhe për të janë vendosur në dispozicion një personel me thuajse 13 persona mes tyre kostumograf dhe asistent kostumograf, skenograf dhe asistent skenograf, regjisor për efekte audiovizuale, regjisor ndriçimi. Pavarësisht se për çdo shfaqje këto emra bëhen publikë, Teatri Eksperimental nuk e jep si informacion me justifikimin se nuk ka autorizimin për të dhënë të dhëna konfidenciale, duke lënë vend për dyshim se diçka po mbahet e fshehtë nga Altin Basha dhe Gjergj Prevazi, drejtori i eksperimentalit.

Ndërkaq në një përballje me “Piranjat” Altin Basha nuk dha thuajse asnjë përgjigje, duke kërkuar takim zyrtar tek Teatri Kombëtar. Ndërsa bashkëshortja e tij Iliriana Basha nuk pranoi të ketë përfituar nga fondet e kostumeve për shfaqjen “Vojçek”. Ndër të tjera e revoltuar ajo u shpreh: “Për këtë fytyrën, kam punuar shumë edhe unë, edhe zoti Altin Basha, se kemi tre fëmijë dhe në vend që të shkojmë diku tjetër etë jetojmë si mbretër, kemi zgjedhur të jetojmë në këtë vendin e ndyrë, të poshtër dhe mos me vjedh kurrë asnjë cent, mos me ngrit kurrë gishtin nga ne, sepse duam ata fëmijët me i rrit mirë”. Kjo zonjë edhe e vjedh Shqipërinë, edhe e quan një vend të ndyrë. Ndoshta ka të drejtë në kushtet kur Prokuroria nuk vepron mbi çiftin e hajdutëve Altin dhe Iliriana Basha.