Safet Gjici kërkon lirinë, shtyhet sërish seanca! Ekspertët mjekoligjor s’i përgjigjen pyetjes “kyçe” për gjendjen shëndetësore.

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Safet Gjicit, teksa kërkon lirimin nga burgu për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas Gjykatës, në seancën e sotme ku ai u përfaqësua nga avokatët, grupi i ekspertëve mjekoligjor nuk i ishin përgjigjur pyetjes nëse “Cila është terapia efektive e përshtatshme për eliminimin e këtij rreziku dhe a e mundëson Institucioni Mjekësor ku gjendet aktualisht?”.

Seanca e radhës do të mbahet më 31.01.2025 ora 10:00.

Njoftimi:

Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut në vlerësim të interesit të lartë publik, informon në lidhje me seancën gjyqësore tё zhvilluar për shtetasin Safet Gjici mbi zhvillimin e seancës gjyqësore sot, më datë 23.12.2024 me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare znj. Suela Lika.

Në seancë nuk u paraqit kërkuesi Safet Gjici, u paraqit mbrojtja përfaqësuar nga av. Markeljan Jança, u paraqit organi akuzёs me prokuror z. Ledian Tema, nuk u paraqitën Ekspertët Mjekoligjor përcollen Aktin e Ekpsertimit zyrtarisht me postë .

Rezulton se në aktin e ekspertimit, ekspertët mjekoligjor nuk i janë përgjigjur pyetjes nr. 10 të gjykatës e cila kërkoi: “Cila është terapia efektive e përshtatshme për eleminimin e këtij rreziku dhe a e mundëson Institucioni Mjekësor ku gjendet aktualisht?”.

Për këtë arsye Gjykata në kuadër të shqyrtimit të plotë dhe të gjithanshëm vlerëson që ekspertët mjekoligjorë kanë detyrim t`i përgjigjen të gjitha pyetjeve dhe akti ekspertimit të plotësohet në lidhje me pyetjen 10-të, ku ekspertët mjekoligjorë duhet të japin përgjigje nëse kërkuesi ka marrë terapinë e nevojshme në spitalin privat ku është vendosur, cila është terapia dhe nësë është e mundur të garantohet nga ky institucion.

Gjykata caktoi se, shërbimi i provës duhet të hartojë një Plan Individual për kërkuesin me objekt “Qëndrim në Shtëpi”.

Shërbimi i provës kërkoi të vendosen në dispozicion të gjithë aktet në rrugë postare dhe kërkoi 2 (dy) javë kohë për hartimin e Planit Individual.

Për t`i dhënë kohën e nevoshme shërbimit të provës për hartimin e Planit Individual dhe ekspertëve mjekoligjorë t`i përgjigjen pyetjes 10-të, seanca e rradhës u caktua më datë 31.01.2025 ora 10:00.

Top Channel