Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot se do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 11 majit.
Megjithatë, Berisha tha se nëse PD fiton zgjedhjet parlamentare, se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm do të përcaktohet nga vota e demokratëve. “Kush të dojë”, Berisha, mund të kandidojë në primaret e demokratëve për kryeministrin e ardhshëm.
Pyetje: A do të jeni kandidat për kryeministër në 11 maj?
Berisha: Kjo vetëkuptohet. Është afërmendsh, nuk ka diskutim. Pasi të fitoj zgjedhjet do të hapim një votim për kryeministër, kush të dojë të sfidojë Sali Berishën. Kur hapet gara, hapet nga opozita jo nga PS. Kush të dojë.
Gjithashtu, Berisha ftoi sërish kryeministrin Edi Rama në debat televiziv, ndërsa shpjegoi edhe arsyet pse sipas tij kreu i qeverisë heziton përballjen publike me të.
“Unë kurrë nuk ndjek veprimet e kundërshtarit, përveçse një fakti, unë e kam ftuar atë që të vijë të përballemi në një studio televizive. Ai nuk ia mban, ka frikë nga vetja e tij dhe e di që del nga ai emision në mënyrë figurative “lakuriq”, me ato që do t’u faktoj shqiptarëve për bëmat e tij dhe kjo është arsyeja që ai nuk mund të dalë. Ai ka probleme edhe me memorien. Ju kujtohet kur shkruante në dorë dhe e shihte si nxënës i klasës së I apo III. I kam thënë hajde edhe me sufler, merri me vete, por hajde të përballemi se e kërkon rregulli, e kërkojnë shqiptarët. Duhet të na shohin përballë njëri tjetrit”, tha Berisha.