Atletja shqiptare, Anila Muçaj humbi jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare dy ditë më parë pasi u përplas nga një makinë.
Nëna e dy fëmijëve po vraponte së bashku me dy miq të saj kur papritmas u përplas nga një fuoristradë në urën Blennerville në Irlandë, një rrugë e njohur për vrapim, çiklizëm dhe ecje, sipas medias së huaj.
Dy personat e tjerë morën lëndime të lehta, ndërsa në spital përfundoi i moshuari që drejtonte fuoristradën.
Muçaj ishte anëtare e klubit Born to Run me bazë në Tralee dhe ishte një atlete e apasionuar, pasi kishte marrë pjesë në një numër maratonash vitet e fundit.
Një postim në rrjetet sociale të klubit thoshte: “Sot kemi mbetur të shkatërruar nga lajmi tragjik se bukuroshja jonë. mikesha e mirë Anila ka ndërruar jetë pas një aksidenti, lutjet tona janë me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj të bukur dhe me gjithë familjen e Anilës në këtë kohë. Ne lutemi edhe për Klerën dhe Klarën që vraponin me Anilën që të shërohen plotësisht, mendimet tona janë me të gjitha familjet këtë mbrëmje”.
“Anila ishte një person i sjellshëm, i kujdesshëm, i bukur dhe i vinte të gjithë të tjerët në radhë të parë”, tha një qytetar.
Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy (FF) në takimin e mëngjesit të së hënës të Qarkut Komunal të Tralee tha se vdekja e Anilës në një mëngjes të bukur të së dielës ndërsa po vraponte ishte “një tronditje e madhe” për qytetin.
