
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë.
“Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”, tha Kurti, raporton RTKLive.
Ai shtoi se kabineti qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur sipas tij është përmbushur mandati i rregullt dhe i plotë katër vjeçar.
“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësit që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha ai.
Sipas tij kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pa ndërprerë të shtetit në zbatim të kushtetutës dhe të ligjeve të republikës.
