
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusia se po vazhdon sulmet ushtarake në Ukrainë, pavarësisht shpalljes së një “armëpushimi të Pashkëve”.
“Tani që po flasim, sipas raporteve të shtabit të përgjithshëm, operacionet ushtarake sulmuese ruse po vazhdojnë në disa sektorë të frontit dhe artileria ruse nuk është ndalur”, ka shkruar ai mbrëmjen e së shtunës vonë në “X”. “Prandaj, nuk duhet t’u besohet fjalëve që vijnë nga Moska”.
Ai ka përsëritur se Rusia e ka refuzuar muajin e shkuar propozimin amerikan për armëpushim të përgjithshëm 30-ditor.
Zelensky ka shtuar se nëse Moska do të pranonte armëpushim pa kushte, Ukraina do të propozonte zgjatjen e tij përtej 20 prillit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shpallur të shtunën armëpushimin e Pashkëve në luftën në Ukrainë, duke nisur nga mbrëmja e sotme e deri në mesnatën e së dielës.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin shpalli një armëpushim prej 30 orësh për pashkët. “Urdhëroj që të gjitha veprimet ushtarake të ndalen për këtë periudhë”, deklaroi shefi i Kremlinit të shtunën.
Putini gjithashtu ka akuzuar Ukrainën se nuk i ka respektuar kushtet e marrëveshjes së armëpushimit mbi infrastrukturën energjetike, ndërsa Zelensky iu përgjigj se “Moska nuk heq dorë nga tentativat për të avancuar ushtarakisht as në ditë festash dhe se ka kryer sulme ajrore duke vrarë një person në orët e para të së dielës në rajonin e Dnipros”.
