
“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”. Ky është mesazhi me të cilin Papa Françesku bekoi 11 vite më parë shqiptarët në vizitën e tij historike në vendin tonë dhe e para e Françeskut si At i Shenjtë në një vend të Europës.
Top Channel publikon sot pamjet e rralla të 21 shtatorit të vitit 2014, kur Papa Françesku pranoi ftesën e autoriteteve shqiptare dhe të Kishës Katolike për të vizituar Shqipërinë, me synim përforcimin e besimit katolik dhe inkurajimin e dialogut ndërfetar në një vend me shumicë myslimane.
Kryeministri Edi Rama ishte zyrtari i parë i lartë i shtetit që shtrëngoi duart me Papën. Lulet e mirëseardhjes ia dhuruan dy fëmijë, simbolikisht një nga veriu, për t’iu drejtuar më pas sallës së pritjes së aeroportit Nënë Tereza, ku kryeministri Rama i bëri Atit të Shenjtë një dhuratë simbolike, një kupë me dheun shqiptar, me kërkesën për ta bekuar atë
Nga sheshi Nënë Tereza, Papa asokohe iu drejtua shqiptarëve me fjalët:
“Erdha për t’ju inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira.”
Papa Françesku, i hipur në një makinë të hapur të sjellë nga Vatikani, përshkoi gjithë bulevardin duke përshëndetur të gjithë qindra mijëra besimtarë, jo vetëm katolikë, që kishin mbërritur në vendin tonë për vizitën e Papës, edhe nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Zvicra e SHBA-ja.
Me vizitën në Kishën e Shën Antonit të Padovës dhe takimin me qindra njerëz në nevojë, ku dha mesazhe të forta për bamirësi dhe paqe, Ati i Shenjtë mbylli vizitën e tij të parë dhe të fundit në tokën e shqiptarëve.
