
“Ferma Vip 2” vijon të rrëmbejë vëmendjen maksimale që prej ditëve të para të nisjes së rrugëtimit të saj, ndërsa fermerët kanë dhuruar spektakël, emocione të bukura por edhe garë në mbrëmjen e shtatë prime.
Moderatorja e këtij formati Luana Vjollca e nisi natën me një mesazh të fuqishëm, mbi vlerat e vërteta që ky prodhim kërkon të përcjellë në publik.
“Sonte do të merren masa, sepse Ferma VIP nuk do të përkrahë kurrsesi dhunën dhe bullizimin”, tha Luana.
Një televotim kokë më kokë mes Nur dhe Danelës ka mbajtur në ankth vajzat gjatë kësaj jave.
Përballje kjo që në bazë të votave të publikut, i ndërpreu rrugëtimin modeles Danela Shima. Një eksperiencë që ndonëse zgjati pak për fermeren do mbetet më e veçanta e jetës së saj.
Ndërkohë e eliminuara e tretë, Danela, në bazë të një formule tashmë të bërë publike nga Agai, zgjodhi kryefermerin që do të drejtojë punët deri të premte. Zgjedhje kjo që shkoi për Albën, e cila gjithashtu do të përfitojë dhe shërbimet e dhomës së Njëshit.
Mbrëmja e shtatë e këtij spektakli ishte jashtë çdo parashikimi. Dy surpriza për dy të nominuarat emocionuan jo vetëm fermerët por dhe publikun.
Nur dhe Danela pas rrëfimeve rrëqethëse për jetët e tyre, u surprizuan nga dy vëllezërit e tyre. Takime këto që treguan edhe njëherë lidhen e fortë të vajzave me familjarët.
Debate të forta shpesh deri në ngritje zëri u evidentuan gjatë spektaklit. Ujërat tanimë janë trazuar dhe grupet duket se kanë filluar të marrin jetë, duke sjellë përçarje mes fermerëve.
Agai edhe këtë herë u tregua strikt duke dënuar një tjetër konkurrent që ka thyer rregullat. 15 mijë euro më pak nëse fiton çmimin e madh, ishte ky ndëshkimi për Ganiun i cili ka ndërhyrë në hapësirën personale të Albës.
Vendim ky që është mbështetur nga disa prej konkurrentëve.
Sfidat janë kryefjalë e këtij formati, ndaj si të tilla ato përcaktojnë jo vetëm nominimet por edhe buxhetin e javës.
E tillë ishte dhe loja me portokalle, falë së cilës fermerët arritën të fitonin 88% buxhet, të vlefshëm deri në javën e ardhshme.
24 orë në 7 ditë të javës, “Ferma VIP 2” vjen për publikun në dy kanale të dedikuara të platformës Tring, si dhe përmbledhjet ditore në orën 17:00 në ekranin e Vizion Plus./vizionplus.tv
