Erion Murataj PSD

Qëndrim i bujshëm nga Real Madrid në prag të finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës në Sevilje.

Për të protestuar ndaj deklaratave të arbitrit të ndeshjes, i cili foli për presione të papërshtatshme nga ana e Real Madrid TV, klubi i drejtuar nga Florentino Perez bojkotoi konferencën për shtyp para ndeshjes dhe njoftoi se nuk do të zhvillonte as stërvitjen e planifikuar në fushën ku do të luhej sot ndeshja.

Ky qëndrim i ashpër ngjalli një pikëpyetje shumë më të madhe. Mediat spanjolle u pyetën nëse “Los Blancos” do të paraqiteshin të shtunën në mbrëmje në fushë kundër Barcelonës. Pas jehonës që krijoi ky rast, Real Madridi priste që Federata të tërhiqej dhe të ndryshonte treshen e arbitrave, por ata u konfirmuan. Më pas, megjithatë, erdhi një tjetër komunikatë nga Real Madridi, që hodhi poshtë mundësinë e mosparaqitjes në fushë.

Komunikata e re e Real Madrid

“Në dritën e spekulimeve të shfaqura në orët e fundit, Real Madrid CF njofton se skuadra jonë nuk e ka marrë kurrë në konsideratë idenë për t’u tërhequr nga finalja. Klubi ynë e kupton se deklaratat e papërshtatshme dhe të pakujdesshme të dhëna nga arbitrat e emëruar për këtë ndeshje, 24 orë para finales, nuk mund të njollosin një ngjarje sportive me rëndësi botërore, që do të ndiqet nga qindra milionë njerëz, dhe për respekt të të gjithë tifozëve që kanë planifikuar të udhëtojnë në Sevilje, si dhe atyre që ndodhen tashmë në kryeqytetin andaluzian. Real Madridi beson se vlerat e futbollit duhet të mbizotërojnë, pavarësisht armiqësisë dhe qëndrimeve të ashpra të treguara sërish sot ndaj klubit tonë nga ana e arbitrave të emëruar për finalen,” thuhet në komunikatën e fundit.

Komunikata e parë e Real Madrid

“Real Madrid CF i konsideron të papranueshme deklaratat publike të dhëna sot (dje) nga arbitrat e caktuar për finalen e Kupës së Mbretit, e parashikuar për nesër (sot), 26 prill 2025. Këto deklarata proteste, të cilat në mënyrë të çuditshme fokusohen në videot e një organi mediatik të mbrojtur nga liria e shprehjes si Real Madrid TV, të realizuara qëllimisht 24 orë më parë kundër njërit prej pjesëmarrësve në finale, tregojnë edhe një herë qartë armiqësinë dhe qëndrimin e hapur negativ të këtyre arbitrave ndaj Real Madridit. Deklaratat, që në mënyrë të habitshme kanë qenë kërcënuese dhe nënkuptojnë unitetin e arbitrave, janë përdorur për të paralajmëruar masa apo veprime të pretenduara që janë larg parimeve të ndershmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë që duhet të mbizotërojnë në prag të një ngjarjeje futbollistike që tërheq vëmendjen e qindra milionë njerëzve në mbarë botën. Duke marrë parasysh seriozitetin e ngjarjes, Real Madridi shpreson që drejtuesit e RFEF dhe të trupës së arbitrave të veprojnë në përputhje me situatën, duke marrë masat e nevojshme për të mbrojtur prestigjin e institucioneve që ata përfaqësojnë,” thuhet në deklaratën e klubit.

Përgjigjja e Ligës: “Perez po kërcënon”

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, iu përgjigj me ashpërsi qëndrimit të Real Madridit.

“Ky nuk është futboll, është një luftë për pushtet. Nuk i pëlqen Tebas sepse nuk bën atë që do ai. Nuk i pëlqen Ceferin sepse nuk bën atë që do ai. Nuk i pëlqen Louzan (presidenti i federatës) sepse nuk bën atë që do ai. Nuk i pëlqejnë gazetarët e televizionit sepse nuk thonë atë që do ai. Nuk do që të ecet përpara me reformën e arbitrave sepse nuk është ajo që do ai. Dhe tani, pas deklaratave të arbitrave, të lodhur nga rrethimi i vazhdueshëm nga Real Madrid TV, ai reagon siç di: pezullon konferencën për shtyp. Anulon stërvitjen në ‘La Cartuja’. Përçmon ngjarjet zyrtare të finales së Kupës. Lëshon sinjale që nesër nuk do paraqiten në finalen e Kupës. Çfarë ndjeshmërie! Nuk proteston, por ushtron presion. Nuk ankohet, por kërcënon. Nuk kundërshton, por ndëshkon. Nuk do ta përmirësojë futbollin, por do ta bëjë futbollin sipas qejfit të tij. Dhe gjëja më e rëndë nuk është që ai përpiqet ta bëjë këtë. Gjëja më e rëndë është që shumë e lejojnë, e tolerojnë dhe e ndihmojnë”, shkroi ai në rrjetet e tij sociale.

Barcelona, Flick: Arbitrat duhet të respektohen

“Për mua është thjesht sport, është thjesht futboll.” Kështu u shpreh trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, duke komentuar në lidhje me arbitrin bask që shpërtheu në lot në prag të finales së Kupës së Mbretit kundër Real Madridit.

“Duhet t’i mbrojmë të gjithë gjatë ndeshjes. Na duhen arbitrat dhe duhet të kujdesemi për ta e të jemi të vëmendshëm. Të mos kujdesesh për ta nuk është fair play, nuk është respekt ndaj tyre,” shtoi trajneri gjerman në konferencën për shtyp.

Flick i kërkoi skuadrës së tij që të kënaqet me këtë përvojë. “Është një finale, kundër Real Madridit, stadiumi është i mrekullueshëm… Duhet të kënaqemi, do të luftojmë për këtë,” shpjegoi ai. “E nisëm këtë rrugëtim në fillim të sezonit me qëllimin për të fituar trofe, dhe tani kemi mundësinë ta bëjmë këtë në tre raste. E dimë që do të jetë e vështirë, sepse është Real Madridi.”

Lidhur me faktin nëse Barcelona është favorite, ai shtoi:

“Duhet të shijojmë finalen; kemi një skuadër të re. Do të jetë një përvojë e madhe për një grup të ri. Në një finale nuk ka favoritë. Ne duam të luftojmë për trofeun.”

Përsa i përket Ferran Torres, pa e konfirmuar apo mohuar praninë e tij në fushë, Flick vërejti:

“Ai ka pasur një rol të shkëlqyer në Kupë, duke treguar gjithmonë se sa i mirë është. Lewandowski nuk mund të luajë, dhe Ferran e di si të luajë në atë rol. Bashkëlojtarët e tij duhet të përshtaten me faktin që në atë pozicion është një lojtar tjetër, me karakteristika të ndryshme fizike. Jam i kënaqur që e kam.”