Erion Murataj PSD

Lara Colturi do vijojë të përfaqësojë Shqipërinë. Skiatorja italo-shqiptare ka gjetur marrëveshjen me Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) edhe për sezonin 2025-26. Një ndër talentet më të mëdha të skive në Evropë, Colturi kërkoi disa muaj më parë largimin nga Shqipëria dhe bashkimin me Italinë, kjo për shkak të financave të munguara.

Duket se FSHS ka arritur të sigurojë fondin e duhur për të bërë që Colturi mos ketë pengesa me stërvijen dhe gjithça është zyrtarizuar. Tanimë janë duke u diskutuar edhe detajet finale të marrëveshjes, me Larën që është e fokusuar te studimet, pasi 18-vjeçarja mbyll këtë vit shkollën e mesme.

“Një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare të Skive. Është arritur një marrëveshje që atletja Lara Colturi të vazhdoë të garoj për Shqipërinë dhe për sezonin 2025 2026. Po punohet intesivisht për detajet e kontratës . I urojmë Larës suksese në shkollë këto ditë, Përveç sportit dhe karrierës në sport Lara mbyll këtë vit studimet e shkollës së mesme. Suksese Larës dhe Shqipërisë në Lojërat Olimpike”, njofton Federata e Skive.

Lara Colturi për herë të parë në historinë e skive shqiptare bëri që flamuri kuqezi të ngrihej në Botërorin e Skive, duke u ngjitur dy herë në podium. Ndërkohë që e reja zuri vendin e shtatë në klasifikimin e përgjithshëm të Botërorit që u mbyll pak javë më parë.

Më Colturin në ekip edhe në sezonin e ri, Shqipëria e skive do kërkojë të parën medalje në këtë kategori sportive, teksa synimi është suksesi në Milano-Cortina, Olimpiadën dimërore që do mbahet në Itali gjatë 2026. Kështu, në Milano-Cortina 2026 Shqipëria do ketë mundësinë historike për të garuar me katër skiatorë në këtë ngjarje madhore.