
Një hetim për vrasje është hapur nga policia britanike pasi një burrë 60-vjeçar humbi jetën në bord të kroçerës luksoze MSC Virtuosa, vetëm pak orë pasi ajo ishte nisur nga porti i Southampton.
Anija ishte nisur të shtunën në mbrëmje për një udhëtim dy-ditor drejt qytetit belg të Bruges, por udhëtimi u shoqërua nga një incident tragjik.
Sipas autoriteteve, rreth orës 20:30 u raportua për një përleshje mes disa personave. Viktima, i cili besohet të ketë qenë shok me personin e arrestuar, u shpall i vdekur në vendngjarje. Policia arrestoi një 57-vjeçar nga Exeter, i dyshuar për vrasje, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim.
Trupi i pajetë i viktimës është mbajtur në bord deri të hënën në mëngjes, kur kroçera u ankorua në terminalin Horizon në Southampton.
Një burim nga bordi i anijes ka rrëfyer për MailOnline se në port kishte një prani të madhe policore dhe se disa familjarë të viktimës përfshirë dy gra dhe një djalë, të dyshuar si fëmijët e tij kishin tentuar të hynin në anije për të marrë trupin.
