Erion Murataj PSD

Një nxënës i vitit të dytë në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër, A. M., 17 vjeç, është hedhur nga dritarja e katit të dytë të shkollës, duke pësuar dëmtime fizike dhe duke përfunduar në spital.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orarit mësimor, në prani të shokëve të klasës dhe stafit pedagogjik. Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore dhe dëshmive të mbledhura nga policia, mësohet se ngjarja lidhet me një bast të vendosur mes nxënësve. Tre shokë të tij kanë deklaruar në polici se adoleshenti u hodh për një bast prej 10 mijë lekësh të vjetra.

Nxënësi u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka pësuar dëmtime në gjymtyrë.

Kjo është ngjarja e tretë e rëndë në të njëjtin institucion brenda tre muajve. Më herët, dy nxënës të tjerë 16-vjeçarë kanë ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta, duke ngritur shqetësime për gjendjen psikologjike të të rinjve dhe nevojën për ndërhyrje urgjente institucionale.

Policia po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.